Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka nisur procedurat ligjore për sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe dëmtimin e reputacionit që, sipas avokatëve të tij, i janë bërë nga persona të lidhur me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Të lidhura
None found
Zyra e Avokatëve “Hodaj & Partners” njoftoi përmes një komunikate se ka marrë përsipër përfaqësimin e Rrahmanit dhe se hapat e parë pranë institucioneve të drejtësisë tashmë janë ndërmarrë.
Sipas përfaqësuesve ligjorë, këto veprime mbështeten në prova dhe fakte, ndërsa personat përgjegjës janë identifikuar ose pritet të përcaktohen gjatë zhvillimit të procedurave.
Komunikata thekson se për më shumë se dy vite Rrahmani është përballur vazhdimisht me kërcënime, sulme dhe presione.
“Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t’i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal”, thuhet në njoftim.
Avokatët bëjnë me dije se, prej këtij momenti, çdo çështje që kërkon trajtim juridik do të ndiqet përmes institucioneve përkatëse dhe do të mbështetet në prova.
“Besojmë se institucionet e drejtësisë do ta thonë fjalën e tyre dhe, si përfaqësues ligjorë të z. Rrahmani, do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave, integritetit dhe reputacionit të tij”, përfundon komunikata e “Hodaj & Partners”.
