Benjamin Haddad, ministër i Deleguar i Francës për Evropën, deklaroi se Parisi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, pavarësisht rrethanave.
Të lidhura
None found
Në konferencën për media me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad vlerësoi se zhvillimet e sotme dëshmojnë forcimin e raporteve ndërmjet dy shteteve dhe krijojnë mundësi për bashkëpunim edhe më të afërt në çdo fushë.
Ai përmendi mbështetjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim, shtrirjen e Frankofonisë në Kosovë nëpërmjet përkrahjes për mësimin e frëngjishtes në shkolla, si dhe marrëveshjet që synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje.
Haddad shprehu shpresën se pas vizitës së tij në Kosovë do të vijnë edhe delegacione nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes. Sipas tij, këto vizita do të shërbenin për të shqyrtuar mënyrat konkrete të bashkëpunimit në siguri, në organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe, në një kuadër më të gjerë, në marrëdhëniet tregtare dhe investuese.
“Kjo është diçka që ne do ta mbështesim dhe do ta përshpejtojmë, pavarësisht rrethanave. Siç e përmenda, ne e mbështesim integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo është pjesë e projektit tonë më të gjerë për ribashkimin e Evropës. E them ‘ribashkim’, sepse nuk më pëlqen shumë termi ‘zgjerim’. Mendoj se bëhet fjalë në të vërtetë për bashkimin e kontinentit tonë”, tha Haddad.
Megjithatë, zyrtari francez theksoi se bëhet fjalë për një proces kërkues, i cili mbështetet në angazhimet ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, ai tha se ky proces lidhet edhe me përparimin në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit, çështje për të cilën ishte diskutuar gjatë takimit.
Sipas Haddad, procesi udhëhiqet gjithashtu nga parimi i meritës. Kjo përfshin zbatimin e reformave, përafrimin me acquis communautaire, përkatësisht legjislacionin e Bashkimit Evropian, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e të drejtave të pakicave. Ai nënvizoi se Franca do të jetë shumë kërkuese në këto drejtime.
Haddad siguroi se Franca do ta shoqërojë Kosovën në secilën fazë të rrugëtimit evropian dhe do të bashkëpunojë me të për realizimin e ambicieve dhe objektivave që ai i cilësoi plotësisht legjitime dhe të arritshme.
“Ne do të jemi pranë Kosovës në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke punuar së bashku për t’i bërë realitet këto ambicie dhe objektiva plotësisht legjitime dhe të arritshme. Edhe një herë, jo vetëm sepse kemi qenë me Kosovën dhe e kemi mbështetur atë që nga dita e parë, por edhe sepse besojmë se kjo është rruga drejt paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë”, deklaroi Haddad.
