Dyshohet për lëndë shpërthyese në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, evakuohet personeli mjekësor

Policia e Kosovës ka evakuuar stafin e Qendrës Klinike Universitare pas dyshimeve për mjete shpërthyese brenda godinës së institucionit shëndetësor.

Në vendngjarje ndodhen forcat e specializuara të policisë për menaxhimin e mjeteve shpërthyese pas informacioneve të siguruara. Ende nuk dihet për çfarë lënde shpërthyese bëhet fjalë.

“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Klinikën e Patologjisë, respektivisht institutin para klinik. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.

Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policies”, njofton policia e Kosovës.