BE-ja: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për ndryshimet dhe plotësimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se ato nuk përputhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Të lidhura

None found

Brukseli i ka bërë thirrje Kosovës të respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara, si edhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, deklaroi një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, BE-ja e ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme punën e Dhomave të Specializuara si një institucion i pavarur gjyqësor. Për këtë arsye, ai kërkoi që mandati aktual dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi mbi bazën e parimit të përgjegjësisë penale individuale”, tha zëdhënësi evropian.

Ndryshimet në ligj u miratuan natën e së martës, përpara se Kuvendi i Kosovës të zgjidhte Justina Shiroka Pulën në postin e presidentes së vendit, zgjedhje që u mirëprit nga Brukseli.

BE-ja përshëndeti gjithashtu përfundimin e bllokadës institucionale që kishte përfshirë Kosovën që nga viti 2025. Sipas Brukselit, zgjedhja e shefes së shtetit krijon pritshmëri për rikthimin e stabilitetit institucional, duke i hapur rrugë Kosovës të avancojë drejt Bashkimit Evropian dhe të shfrytëzojë plotësisht mundësitë që ofron ai.

Zëdhënësi evropian theksoi se përpara Kosovës mbetet një agjendë e rëndësishme, ku përfshihen reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe Reformave, zbatimi i mëtejshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal e integrimi gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.

“BE-ja është e gatshme ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën, por partneriteti ynë bazohet jo vetëm në interesa të përbashkëta, por edhe në përgjegjësi të përbashkëta”, nënvizoi zëdhënësi.

Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës në minutat e para të 7 tetorit. Votimi u bë i mundur pas një marrëveshjeje politike të arritur në momentet e fundit, e cila siguroi edhe mbështetjen e deputetëve për ndryshimet ligjore që kufizojnë kompetencat e institucionit të njohur si Gjykata Speciale.

Pak para votimit për presidenten, Kuvendi e miratoi në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke përmbyllur procedurën parlamentare të nismës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ndodhet në opozitë.

Seanca e jashtëzakonshme u thirr në orët e vona të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet për kandidaturën e Shiroka Pulës për presidente. Marrëveshja u arrit pas një dite të tërë përplasjesh politike dhe mungese zgjidhjeje mes partive.

Ndërkohë, protestat kundër ndryshimeve ligjore vazhduan edhe më 6 tetor, një ditë pasi protestuesit ishin përplasur me Policinë e Kosovës.

Hapat juridikë për krijimin e Dhomave të Specializuara lidhen me këmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Dhomat e Specializuara ndodhen në Hagë, ndërsa juridikisht janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. BE-ja është financuesi kryesor i tyre dhe, që prej themelimit, ka dhënë gati 400 milionë euro. / REL


Shtuar më 7.10.2026 14:03