BE-ja e zhgënjyer me mbylljen pa koordinim të strukturave paralele në veriun e Kosovës

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur zhgënjim nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë me partnerët ndërkombëtarë, një ditë pas mbylljes së pesë objekteve të strukturave paralele ilegale në veriun e vendit, transmeton Anadolu.

Në reagimin e BE-së thuhet se operacioni i policisë “kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren”.

“BE-ja dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar për de-përshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në reagim.

BE-ja gjithashtu u shpreh se pret që çështjet e hapura Kosova dhe Serbia t’i adresojnë në dialog.

“Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.

Dje, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, njoftoi se në një aksion të koordinuar të institucioneve të Kosovës, të ekzekutuar nga policia, u mbyllën pesë objekte të strukturave paralele në komunat veriore me shumicë serbe të Kosovës.

Krasniqi tha se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Muaj më parë, autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna tjera paralele në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.


Shtuar 2.09.2024 23:31

Tags: ,