Kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, ka dhënë sqarime për avarinë e ndodhur më 7 tetor, e cila ndërpreu furnizimin me energji elektrike në dy njësi të ndërmarrjes dhe la të bllokuar 63 minatorë në horizontin e tetë të gjigantit metalurgjik.
Të lidhura
None found
Sipas tij, pas riparimit të trafos dhe rikthimit të energjisë, të gjithë minatorët janë nxjerrë nga miniera pa pasoja shëndetësore.
Ahmeti ka treguar se avaria ndodhi në orën 7:30 të datës 7, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë në njësinë e flotacionit dhe në njësitë e stantërgave të minierës. Për pasojë, 63 punëtorë mbetën të ngujuar.
Ai ka bërë të ditur se menjëherë nisi ndërhyrja për riparimin e trafos dhe krijimin e një by-pasi, në mënyrë që të mundësohej qasja në minierë. Rreth orës 02:30, para rikthimit të energjisë, nga miniera dolën 54 minatorë, ndërsa pjesa tjetër u nxor pas kyçjes së energjisë elektrike.
“Fatmirësisht, nuk ka pasur pasoja dhe të gjithë minatorët kanë dalë shëndoshë e mirë”, ka deklaruar Ahmeti.
Megjithëse puna në minierë ka vijuar, njësia e flotacionit nuk mund të rifillojë aktivitetin deri në përfundimin e plotë të sanimit të avarisë.
“Në minierë mund të punohet dhe ndërrimi i parë ka nisur normalisht, por flotacioni nuk mund të funksionojë derisa avaria të rregullohet tërësisht”, ka thënë kryeshefi i “Trepçës”.
Ahmeti ka bërë të ditur se një problem i ngjashëm ishte shënuar edhe më 14 maj të këtij viti. Për shkaqet dhe pasojat e avarisë së fundit, ai ka theksuar se duhet pritur raporti zyrtar.
“Nuk mund të flasim ende për pasojat, pasi nuk kemi një raport zyrtar që i përcakton ato. Në proces kanë marrë pjesë Policia, zjarrfikësit dhe Forenzika, ndërsa aktualisht është përfshirë edhe inspektori i KPMM-së. Pas raportit zyrtar do të mund të flasim për shkaqet dhe pasojat”, ka deklaruar Ahmeti.
Sipas tij, pas avarisë së majit, ndërmarrja kishte pajisje rezervë në stok, të cilat u përdorën për riparimin e problemit brenda jo më shumë se 7 ditësh. Aktualisht, ato pajisje nuk janë më në dispozicion.
“Pajisjet që i kishim në stok i përdorëm për ta sanuar problemin. Tani, fatkeqësisht, nuk i kemi më. Kjo situatë nuk e pengon punën e minierës, e cila mund të vazhdojë, por xeherori nuk mund të flotohet dhe pastrohet për t’u bërë i gatshëm për shitje”, ka thënë ai.
Për përcaktimin e përgjegjësisë, kryeshefi i “Trepçës” ka deklaruar se kjo çështje nuk është në kompetencën e ndërmarrjes, por e komisioneve të posaçme.
“Ne nuk e përcaktojmë përgjegjësinë. Këtë e bëjnë komisionet përkatëse. Mund të konfirmojmë vetëm se avaria ka ndodhur dhe se dera, përfshirë derën kryesore, është hapur në praninë e Policisë dhe zjarrfikësve”, ka thënë Ahmeti.
Ndërmarrja “Trepça” pritet t’i dërgojë KEK-ut kërkesë për sigurimin e një transformatori dhe të ndërprerësve të dëmtuar.
Ahmeti ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia që KEK-u të ketë në stok një transformator 35, për të cilin “Trepça” pret përgjigje gjatë ditës.
“Po i drejtohemi KEK-ut për të na siguruar një trafo dhe ndërprerësit e djegur. Shpresojmë që të marrim mbështetje dhe që transformatori 35, nëse gjendet në stok, të na vihet në dispozicion”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se nuk mund të vendoset bashkëpunim me miniera të tjera dhe se zgjidhja e problemit varet nga përfundimi i riparimeve dhe bashkëpunimi me KEK-un.
Kryeshefi i “Trepçës” ka theksuar se avaritë e këtij lloji nuk mund të parashikohen, duke shtuar se ndërmarrja do të krijojë pajisje rezervë për të reaguar më shpejt në raste të ngjashme.
“Këto avari nuk mund të planifikohen dhe nuk mund të dihet kur do të ndodhin. Për fat të keq, brenda 6 muajve na kanë ndodhur dy raste të tilla. Janë avari të rralla, ndaj do të sigurojmë pajisje rezervë për të ndërhyrë dhe për ta zgjidhur problemin sa më shpejt në të ardhmen”, ka thënë Ahmeti.
Lidhur me deklaratat e sindikatës, ai ka thënë se nuk dëshiron të komentojë, pasi sindikata është e pavarur të shprehet.
Ahmeti ka rikujtuar gjithashtu se, sipas rregullave të ndërmarrjes, komunikimi me mediat bëhet vetëm nga kryeshefi.
“I vetmi zyrtar përgjegjës për komunikimin me mediat është kryeshefi. Nuk mund të komunikojë kushdo me mediat, pasi ky është rregull”, ka deklaruar ai.





