Apeli cakton orë të re për seancën e çështjes së vrasjes së Liridona Ademajt

Seanca në Gjykatën e Apelit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt do të zhvillohet më 29 tetor 2026, në orën 11:10, dhe jo në orën 09:50 siç ishte parashikuar fillimisht.

Gjykata bëri të ditur se data mbetet e njëjtë, ndërsa orari u ndryshua pas kërkesës së mbrojtjes së të dënuarit N.M. Ky i fundit, në të njëjtën ditë dhe orë, është i angazhuar për përfaqësim në një çështje tjetër në Gjykatën Supreme, thuhet në njoftimin e Apelit.

Të lidhura

None found

Gjatë seancës do të shqyrtohet ankesa e Naim Murselit, të cilit i është shqiptuar burgim i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj.

Ankesa, e përgatitur nga dy avokatët e Murselit dhe e dorëzuar në 30 faqe, kërkon anulimin e aktgjykimit ose zëvendësimin e tij me një dënim më të lehtë.

Mbrojtja pretendon se gjykata e shkallës së parë i ka shqyrtuar provat në mënyrë selektive dhe të njëanshme. Në parashtresë vihen në pikëpyetje edhe mënyra se si policia e mori Murselin në pyetje.

Avokatët thonë gjithashtu se gjykata nuk mori parasysh disa kërkesa të tyre, mes të cilave rindërtimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.

Ankesë në Gjykatën e Apelit ka paraqitur edhe Leotrim Syla, avokati i së ndjerës Liridona Ademaj.

Syla kërkon që, përveç Naim Murselit dhe Granit Plavës, edhe Kushtrim Kokalla të dënohet me burgim të përjetshëm.


Shtuar më 22.10.2026 15:00