Më pak se një javë pas konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës, me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, kushtetutshmëria e këtij procesi është vënë në dyshim nga Lista Serbe.
Më 16 tetor 2025, kjo e fundit dorëzoi ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke sfiduar zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq.
Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Telegrafin tha që kërkesa e Listës Serbe aktualisht është duke u shqyrtuar nga Gjykata, pa dhënë detaje më shumë edhe sa i përket se kur pritet të merret vendimi.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Në ankesën e dorëzuar, Lista Serbe pretendon se ka pasur shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimit të mëparshëm të Kushtetueses.ç
Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Kjo është hera e dytë që Lista Serbe ankohet në Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit serb në muajt e fundit, pasi në gusht ishte ankuar kundër votimit ndaras, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata kishte konstatuar se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
