Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Bekim Sejdiut për të hequr dorë nga kandidatura për president të Kosovës.
Të lidhura
None found
Abdixhiku e ka çmuar qëndrimin e Sejdiut gjatë këtij procesi, duke thënë se tërheqja e tij përballë asaj që e cilësoi si “histeri politike” tregon se ai do të ishte një kandidat i përshtatshëm për postin e presidentit.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka shprehur keqardhje për faktin që Kosova vazhdon të jetë pa president. Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje politike e ka lënë vendin në kaos, bllokadë institucionale dhe drejt zgjedhjeve të reja.
“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka kritikuar edhe sulmet e drejtuara ndaj Sejdiut, duke vlerësuar se ai u vu në shënjestër në mënyrë të padrejtë dhe se përpjekjet për ta dëmtuar figurën e tij nuk kishin të bënin realisht me të.
“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të”, ka shkruar lideri i LDK-së.
Sipas tij, urrejtja dhe inati personal janë shndërruar në mjete më të fuqishme se përgjegjësia ndaj vendit. Abdixhiku ka theksuar se në politikën e sotme duket më e rëndësishme t’i shkaktohet dëm kundërshtarit sesa të mbrohet interesi institucional.
“Urrejtja si mjet dhe inati personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit. E rëndësishme t’i bëjmë dëm tjetrit”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur gjithashtu shqetësimin se Kosova po i largon njerëzit e mirë, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për ta, por shpesh i refuzon lehtësisht.
Situatën aktuale politike në Kosovë, Abdixhiku e ka cilësuar si “PISA politike”, duke kritikuar bllokimet, ngecjen, sulmet personale dhe mundësinë që vendi të përfundojë sërish në zgjedhje, edhe pas proceseve të ardhshme zgjedhore.
“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi t’i rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në të tjerat”, ka shkruar Abdixhiku.
Në përmbyllje të reagimit, kryetari i LDK-së e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar vazhdimisht, duke i cilësuar këto virtyte si vlerë në klimën e sotme politike.
“Të faleminderit Bekim për gadishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, përfundon reagimi i Abdixhikut.
