Kanceri i mushkërive

Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri në gjithë botën. Duhanpirësit kanë riskun më të lartë për kancer të mushkërive, megjithatë, kanceri i mushkërive mund të ndodhë edhe në persona jo-duhanpirës.

Risku për kancer të mushkërive rritet me kohën dhe me numrin e cigareve të tymosura. Nëse lini duhanin, edhe nëse keni pirë duhan për një kohë të gjatë, risku për kancer të mushkërive ulet në mënyrë sinjifikative.

Cilat janë simptomat e kancerit të mushkërive?

Kanceri i mushkërisë zakonisht nuk shkakton simptoma në stadet e hershme. Shenjat dhe simptomat e kancerit të mushkërisë në përgjithësi shfaqen kur sëmundja është e avancuar.

Ato mund të jenë:

– Kollë që nuk shërohet
– Kollë me gjak
– Vështirësi në frymëmarrje
– Dhimbje gjoksi
– Humbje peshe (pa qëllim)
– Dhimbje kockash
– Dhimbje koke

Cilat janë shkaqet e kancerit të mushkërive?

Shumica e rasteve me kancer të mushkërisë shkaktohen nga duhanpirja – edhe nga duhanpirja pasive. Megjithatë, kanceri i mushkërisë ndodhë edhe në persona jo duhanpirës ose në persona që nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj duhanpirjes pasive. Në këto raste, shkaku i kancerit të mushkërisë nuk është plotësisht i qartë.

Pse shkakton kancer duhanpirja?

Duhanpirja shkakton kancer të mushkërisë duke dëmtuar qelizat e mushkërisë. Kur thithni tymin e duhanit, substancat karcinogjene që gjenden në të, shkaktojnë pothuajse menjëherë dëmtim të indit të mushkërisë. Me kohën, këto dëmtime të grumbulluara shkaktojnë transformimin e qelizave të shëndetshme në qeliza kanceroze.

Cilat janë llojet e kancerit të mushkërisë?

Kanceri i mushkërisë ndahet në dy tipe kryesore. Kjo ndarje bëhet në bazë të tipareve të qelizave kanceroze nën mikroskop. Trajtimi përzgjidhet në varësi të llojit të kanceri të mushkërisë.

Dy llojet kryesore të kancerit të mushkërisë janë:

Kanceri i mushkërisë me qeliza të vogla – ndodh pothuajse ekskluzivisht në duhanpirës dhe është më i rrallë se kanceri i mushkërisë me qeliza jo te vogla.

Kanceri i mushkërisë me qeliza jo të vogla – është një term i cili përfshin disa nënlloje të kancerit të mushkërisë. Përfshin kancerin me qeliza skuamoze, adenokarcinomën dhe kancerin me qeliza të mëdha.

Cilët janë faktorët e riskut?

Një sërë faktorësh mund të ndihmojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërisë. Disa prej këtyre faktorëve mund të kontrollohen dhe shmangen, siç është duhanpirja. Faktorë të tjerë janë të pa modifikueshëm siç është historia familjare.

Ndër faktorët e riskut përfshihen:

Duhanpirja. Risku për kancer mushkërie rritet me numrin e cigareve të tymosura dhe numrin e viteve që keni pirë duhan. Lënia e duhanit në çdo moshë redukton në mënyrë sinjifikative riskun për kancer të mushkërisë.

Ekspozimi ndaj duhanpirjes pasive. Edhe nëse nuk jeni duhanpirës, risku për kancer mushkërie është i lartë nëse jeni të ekspozuar ndaj duhanpirjes pasive.

Ekspozimi ndaj gazit të radonit. Radoni mund të gjendet në ajër por edhe i grumbulluar në ndërtesat e banimit.

Ekspozimi ndaj asbestit dhe karcinogjenëve të tjerë. Ekspozimi ndaj asbestit dhe substancave të tjera të njohura që shkaktojnë kancer, si arseniku, kromi dhe nikeli – rrisin riskun për zhvillim të kancerit të mushkërisë, veçanërisht në duhanpirës.

Historia familjare. Edhe pse kanceri i mushkërive në shumicën e rasteve nuk është i trashëguar, risku rritet nëse keni histori familjare me kancer të mushkërisë (prind, motër, vëlla).

Cilat janë komplikimet e kancerit të mushkërisë?

Vështirësi në frymëmarrje. Personat me kancer të mushkërive kanë vështirësi në frymëmarrje nëse kanceri zhvillohet dhe bllokon rrugët kryesore të frymëmarrjes. Gjithashtu, mund të shkaktojë grumbullim të lëngjeve përreth mushkërisë, duke i penguar mushkëritë të mbushen me ajër plotësisht gjatë frymëmarrjes.

Kollë me gjak. Kanceri i mushkërive mund të shkaktojë gjakderdhje në rrugët e frymëmarrjes, çka shkakton edhe kolle me gjak (hemoptysis). Ndonjëherë mund të ndodhë që kjo gjendje të kthehet në serioze por mund të kontrollohet me mjekim.

Dhimbje. Kanceri i avancuar i mushkërisë i shtrirë në pjesën më të madhe të saj ose i përhapur në organe të tjera të trupit, si kocka, mund të shkaktojë dhimbje. Trajtime specifike mund të aplikohen për dhimbjet nga kanceri.

Efuzion pleural. Kanceri i mushkërive mund të shkaktojë grumbullimin e lëngjeve në hapësirat përreth mushkërisë dhe në kavitetin torakal. Ky akumulim likuidi shkakton vështirësi në frymëmarrje.

Metastaza. Kanceri i mushkërive mund të përhapet në organe të tjera si truri dhe kockat. Metastazat mund të shkaktojnë dhimbje, të përziera ose simptoma të tjera të lidhura me organin e prekur. Nëse kanceri ka dhënë metastaza, përgjithësisht nuk është i kurueshëm. Trajtimet shërbejnë për të reduktuar simptomat dhe për të rritur jetëgjatësinë.

Si mund të parandalohet?

Mos pini duhan. Nëse nuk keni pire kurrë duhan, asnjëherë mos filloni. Flisni me fëmijët tuaj për dëmet që sjell duhanpirja dhe këshillojini ata si të shmangin këtë faktor risku kaq të rëndësishëm pavarësisht presionit të shoqërisë. Nëse jeni duhanpirës, çdo moment është i përshtatshëm për të lënë duhanin.

Shmangni duhanpirjen pasive. Nëse jetoni ose punoni me dikë që pi duhan, nxiteni atë ta lërë duhanin. Nëse përpjekjet tuaja dështojnë, kërkojini që të pi duhan jashtë ambientit tuaj të përbashkët. Shmangni vendet ku pihet duhan si bare apo restorante ku lejohet pirja e duhanit.

Kontrolloni shtëpinë tuja për radon. Është mirë të kontrolloni shtëpinë tuaj për nivelin e radonit, veçanërisht nëse jetoni në një zonë ku ky problem është i njohur.

Shmangni karcinogjenët në punë Merrni masa për të mbrojtur veten nga ekspozimi i mundshëm ndaj karcinogjenëve në punë.

Hani fruta dhe perime. Zgjidhni një dietë të larmishme me fruta dhe perime. Vitaminat e marra nga ushqimet janë gjithmonë më të mirat. Shmangni marrjen në doza të larta të vitaminave në formën e suplementeve. Psh. studimet kanë treguar se marrja e beta-karotenit nga duhanpirësit rrit riskun për kancer të mushkërive.

Bëni aktivitet fizik në shumicën e ditëve të javës. Nëse nuk ushtroheni rregullisht, filloni me ritme të ngadalta dhe përpiquni të ushtroheni në më të shumtën e ditëve të javës.