Njerëzit në këtë vend po ndryshojnë emrin në Salmon për një arsye të çuditshme

Sushi është një nga ushqimet e preferuara për shumë njerëz në të gjithë botën dhe sidomos në Tajvan. Mirëpo disa banorë të këtij vendi po bëjnë përpjekje nga më të çuditshmet për ta përfituar falas. Madje, disa kanë arritur deri aty sa ta ndryshojnë emrin në “Salmon” për të përfituar nga një ofertë në një restorant të njohur.

Pothuajse 100 njerëz janë regjistruar për të ndryshuar emrin e tyre, pas një promocioni nga zinxhiri i restoranteve Sushiro, sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Tajvanit (CNA).

Javën e kaluar, zinxhiri njoftoi se do të jepte sushi falas për këdo, emri i të cilit përfshinte dy nga karakteret kineze që së bashku do të thonë “salmon” – një përbërës kryesor i shijshëm i sushit. Ai person, plus deri në pesë shoqërues të tij, mund të marrin një vakt falas, për sa kohë që vërtetojnë emrin duke përdorur ID zyrtare.

Pas një rritje të aplikimeve, Ministria e Brendshme e Tajvanit ndërhyri javën e kaluar dhe u bëri thirrje banorëve ta mendojnë mirë para se të ndryshojnë emrat e tyre. Sipas ligjeve të vendit, njerëzit kanë të drejtë ta ndryshojnë emrin vetëm tri herë, që do të thotë se dikush që e ndryshon emrin në Salmon për të tretën herë mund të mbetet me këtë emër përjetë.

Shtuar 24.03.2021 03:03