Gjashtë gabimet që bëjmë kur lexojmë recetat e gatimit

Një nga kushtet themelore të përgatitjes të një vakti të mirë është të ndiqni në mënyrë korrekte recetën që keni zgjedhur të gatuani.
Le të shohim gabimet më të zakonshme që bëjmë.

1.Leximi jo i plotë i recetës. Një kusht bazik që e dinë edhe fillestarët në kuzhinë është se duhet ta lexojmë recetën shumë mirë para se të fillojmë përgatitjen e ushqimit. Është e rëndësishme të lexojmë të gjitha hapat e recetës para se të blejmë përbërësit, sepse vetëm atëherë do të kemi një pamje të qartë të asaj që do të gatuajmë.

2.Pakujdesia në lexim. Kjo ndodh më shpesh se sa mendojmë. Madje edhe vendi ku është vendosur presja është i rëndësishëm. Si për shembull: “një filxhan arra, të copëtuara” është ndryshe nga “një filxhan arra të copëtuara”. Në rastin e parë do të thotë një filxhan me arra, të cilat do të copëtohen më vonë, ndërsa në rastin e dytë do të thotë nje filxhan me arra tashmë të copëtuara. Lexime të tilla të pakujdesshme mund të prishin një recetë, pasi përmasat nuk do të maten si duhet. Prandaj kujdes…

3.Harrojmë se ndodhemi në kuzhinën tonë. Dikush që njeh mirë recetat do të na japë kohën e saktë të gatimit, megjithatë çdo furrë gatimi është ndryshe dhe askush nuk njeh furrën dhe vatrat e kuzhinës tonë më mirë se ne. Çdo furrë nxehet ndryshe. Për shembull, një recetë mund të kërkojë 8 deri në 10 minuta për t’u pjekur, por ka shumë të ngjarë që të duhen vetëm 8 minuta në një furrë tjetër ose 12 minuta në një tjetër. Ne gjithmonë duhet të rregullojmë kohën e gatimit për t’iu përshtatur kuzhinës tonë.

4.Zëvendësimi i shumë përbërësve të recetës që në herën e parë. Kjo metodë nuk përbën problem, por nëse zëvendësojmë më shumë se tre përbërës në një recetë, atëherë e kemi ndryshuar atë rrënjësisht. Do të ishte mirë të ekzekutonim recetën saktësisht siç e kemi lexuar herën e parë, në mënyrë që të dimë se cila është shija e pritur. Pas kësaj mund të marrim iniciativën për të zëvendësuar ingredientët.

5.Keqinterpretimi në përdorimin e përbërësve. Një listë e ingredientëve shpesh mund të interpretohet gabim. Për shembull, nje ingredient mund të përdoret më shumë se një herë. Kjo na kthen në këshillën e parë, në leximin e kujdesshëm të recetave për të kuptuar se sa herë dhe si mund të përdoret një përbërës në një recetë. Një recetë mund të ketë nevojë për dy limonë, të cilët mund të përdoren në hapa të ndryshëm.

6.Nuk i kushtojmë vëmendjen e duhur udhëzimeve të recetës. Shpesh shohim fraza të tilla si:“shto ngadalë” ose “kthejmë me kujdes”. Këto fraza janë këshilla të rëndësishme. Për shembull, në rastet kur thuhet të shtoni qumësht ngadalë në përzierje dhe ne nuk e bëjmë atë, mund të rrezikojmë që pjata të dalë jashtë pritshmërive. Këto shprehje, pra, janë një nga “çelësat’ e suksesit në një recetë gatimi.


Shtuar 12.04.2021 15:11