Databaza e partisë, PS ka listuar si votues të sigurt edhe kreun e SHISH-it

PS ka listuar si votues të sigurtë edhe kreun e SHISH-it sipas databazës së kësaj partie, raporton lapsi.al.

Mësohet se të dhënat konfidenciale nuk janë arritur duke mbledhur informacione nga takime fizike derë më derë, por janë “grabitur” nga institucionet shtetërore, ku më pas është punuar për të nxjerrë bindjet e votuesve.

Lista e cila është marrë “copy-paste” nga institucionet shtetërore i është shpërndarë militantëve të PS  të cilët nuk kanë bërë asnjë lloj “filtri”.

Ky është rasti i punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, disa prej emrave të të cilëve gjenden në database që përdor Partia Socialiste për fushatën e 25 Prillit bashkë me të dhënat e tyre personale dhe përshkrimin e bindjes politike për secilin.

Në kollonën ku raportohet vendi i punës, për punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror që verifikoi Lapsi.al, nuk është shënuar institucioni ku punojnë, por Partia nuk i ka kursyer për të dhënat e tjera konfidenciale, njësoj si për ne të tjerët.

Kulmi arrin në patronazhin për shefin e SHISH, Helidon Bendo, përballë të cilit patronazhistja me emrin Marjana Ndraka ka raportuar se ai ka preferenca për PS dhe se ai mund të konsiderohet votues i sigurtë për PS.Në raportimin për shefin e SHISH janë të gjitha të dhënat si numër telefoni, numri i kartës së identitetit, qendra e votimit, etj, por nuk është shënuar vendi i punës.


Shtuar 12.04.2021 15:04