SIGURIMET/ Komisioni i Konkurrencës, hetim të thelluar ndaj 11 bankave në Shqipëri

Komisioni i Konkurrencës ka miratuar vendimin për hapjen e një procedurë hetimi të thelluar në tregun e sigurimit të jetës për kreditë bankare dhe në tregun e ndërmjetësimit të sigurimeve, duke përfshirë 11 banka dhe 2 ndërmarrje të ndërmjetësimit.

Në mbledhjen e datës 26 mars 2025, Komisioni analizoi të dhënat e mbledhura gjatë fazës së hetimit paraprak dhe konkludoi se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Dyshime për marrëveshje të ndaluara dhe pozita dominuese

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, sjellja e bankave Raiffeisen Bank, OTP Bank Albania, Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), Tirana Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania, Union Bank, ABI Bank, ProCredit Bank, si dhe ndërmarrjeve E-Business Solutions SHPK dhe Abi Broker Sigurimesh SHA, mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe 9 të ligjit në fuqi.

Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon në mënyrë eksplicite marrëveshjet apo praktikat e koordinuarames ndërmarrjeve që synojnë ose kanë efektin e shtrembërimit të konkurrencës në treg. Nga ana tjetër, neni 9 ndalon abuzimin me pozitën dominuese, përmes vendosjes së kushteve të padrejta për konsumatorin apo kufizimit të aksesit të aktorëve të tjerë në treg.

Gjithashtu, për katër banka të tjera – Credins Bank, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Tirana Bank dhe Banka e Parë e Investimeve – hetimi përqendrohet mbi dyshimet për abuzim me pozitën dominuese, në kuptim të nenit 9 të ligjit.

Hetimi përfshin periudhën 2021–2025

Vendimi nr. 1171 i datës 26.03.2025 parashikon që hetimi i thelluar do të përfshijë një periudhë gati katërvjeçare, nga 7 nëntor 2021 deri më 26 mars 2025. Gjatë kësaj kohe, bankat e listuara kanë ofruar kredi me kushtin e sigurimit të jetës, shpeshherë përmes ndërmarrjeve të përzgjedhura të ndërmjetësimit, në disa raste të lidhura drejtpërdrejt me vetë bankën ose të bashkëpunuara në mënyrë ekskluzive.

Treg me ndikim të ndjeshëm te konsumatori

Sigurimi i jetës për kredi është një element thelbësor për çdo individ apo biznes që merr hua në banka. Këto sigurime mbulojnë rrezikun e paaftësisë për të shlyer kredinë në rast vdekjeje ose paaftësie fizike të kredimarrësit. Por, nëse ndërmarrjet financiare kufizojnë zgjedhjen e klientëve apo krijojnë marrëveshje të koordinuara për çmimet apo ndërmjetësit, kjo përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe dëm potencial për konsumatorin final.

Çfarë pritet nga hetimi?

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë ende detaje për formën që ka marrë sjellja e dyshuar e ndërmarrjeve, por hetimi i thelluar do të kërkojë bashkëpunim të detyruar nga subjektet e përfshira, duke përfshirë dokumentacionin për kontratat me klientët, marrëdhëniet me kompanitë e sigurimeve dhe ndërmjetësit, si dhe mekanizmat e brendshëm të përzgjedhjes së ofertave.

Në përfundim të procesit, nëse vërtetohen shkelje të ligjit, Autoriteti mund të vendosë gjobitje deri në 10% të xhiros vjetore të ndërmarrjeve përkatëse dhe të kërkojë ndryshimin e praktikave të tregut. /skyweb.al


Shtuar 9.04.2025 12:54