Izraeli vret liderin i Hamasit dhe dy luftëtarë në ditën e tretë të operacionit në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë kreun e grupit të armatosur palestinez Hamas në Jenin dhe dy luftëtarë të tjerë, ndërsa një operacion i madh vazhdon për të tretën ditë në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Forcat izraelite të sigurisë eliminuan Wissam Khazemin në një automjet dhe më pas kryen sulme ajrore ndaj “dy terroristëve të tjerë ndërsa ata u përpoqën të iknin”, thuhet në një deklaratë. Sipas ushtrisë izraelite, të dy burrat i përkisnin Hamasit dhe “operonin nën komandën e Khazemit dhe morën pjesë në sulmet me armë kundër komuniteteve izraelite”. Ata u identifikuan si Maysara Masharqa dhe Arafat Amer.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se tre burrat u vranë gjatë natës pranë qytetit të Zababdeh, në jug-lindje të Jeninit. Mediat palestineze raportuan gjithashtu se forcat izraelite ishin tërhequr nga Tulkarm pasi shkaktuan dëme të rënda në ndërtesa dhe infrastrukturë në kampet e refugjatëve të qytetit.

Të paktën 19 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit izraelit, i cili është një nga më të mëdhenjtë në Bregun Perëndimor në dy dekada, duke ndezur alarmin ndërkombëtar.

Mbretëria e Bashkuar tha të premten se ishte “thellësisht e shqetësuar nga metodat që Izraeli ka përdorur dhe nga raportet për viktima civile dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile. Rreziku i destabilitetit është serioz dhe nevoja për de-përshkallëzimin urgjent,” tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.


Shtuar 30.08.2024 14:35

Tags: ,