Fenerbahçe është mposhtur 2-1 nga Besiktasi në derbin e Stambollit, ndeshje e zhvilluar në kuadër të javës së katërt të Superligës së Turqisë.
Të lidhura
None found
Vedat Muriqi ishte titullar dhe luajti deri në minutën e 68-të, por këtë herë nuk pati ndikim në rezultat. Sulmuesi kosovar u largua nga loja kur shifrat ishin 1-1.
Disfata ndaj Besiktasit ishte e para për Fenerbahçen pas tri triumfeve radhazi. Në secilën prej atyre ndeshjeve, Muriqi kishte shënuar nga një gol.
Pas përfundimit të derbit, drejtuesit e Fenerbahçes kanë ngritur akuza të forta për mënyrën e gjykimit. Presidenti Aziz Yildirim kritikoi arbitrat dhe VAR-in, duke kërkuar që skuadra e tij të trajtohet me drejtësi.
“Për katër javë nuk kemi thënë asgjë. Në takimin me Gençlerbirligin nuk na u dhanë dy penallti. E humbëm atë ndeshje dhe heshtëm. Më pas luajtëm ndaj Konyasporit, ku pati edhe më shumë gabime arbitrare. Në Samsun u bë një faull ndaj Vedatit, ndërsa pati edhe një rast tjetër kur nuk përfituam penallti. Sidoqoftë, ne fituam dhe përsëri besuam se situata do të përmirësohej”, ka deklaruar Yildirim.
Duke folur për përballjen me Besiktasin, ai pretendoi se skuadrës së tij i janë mohuar dy penallti.
“Këtë herë kemi parë sërish gabime. Nuk kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe e përgëzojmë Besiktasin. Por janë dy penallti që nuk na u akorduan. Arbitri duhet të japë vendim për atë që sheh, ndërsa VAR-i është në gjumë”, ka thënë presidenti i Fenerbahçes.
Kritikat e Yildirimit u zgjeruan edhe te niveli i gjyqtarëve që drejtojnë ndeshjet në futbollin turk.
“Nëse askush nuk i manipulon dhe nëse ata nuk drejtohen nga pas si lodra, atëherë të gjithë janë të paaftë. Futbolli turk nuk do të arrijë askund”, është shprehur ai.
Pakënaqësi ndaj vendimeve të arbitrave shprehën edhe disa lojtarë të Fenerbahçes pas ndeshjes. Gjykimi vijon të jetë prej vitesh një çështje e përsëritur diskutimi në futbollin turk.
Ndërkohë, Milot Rashica mungoi përsëri te Besiktasi. Futbollisti nuk u grumbullua për derbin ndaj Fenerbahçes, duke e humbur kështu ndeshjen e dytë radhazi.
