Profesori i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas deklaratave të Relja Zeljkos, shefit të Departamentit të Analitikës së BIA-s serbe, kundër gazetarit Ermal Panduri.
Të lidhura
None found
Sipas Islamit, sulmet dhe cilësimet drejtuar gazetarëve, institucioneve të Kosovës, AKI-së dhe UÇK-së janë pjesë e një fushate propagandistike, përmes së cilës po zhvillohet një luftë hibride ndaj Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkim dhe kundërvënie ndaj propagandës, duke nënvizuar se Kosova nuk duhet t’u nënshtrohet shantazheve apo trysnisë që vjen nga Beogradi.
Reagimi i plotë:
Reagimi vjen pas deklaratave të gazetarit të njohur Ermal Panduri, pjesë e një mediumi të fuqishëm në Kosovë, të cilin shefi i Departamentit të Analitikës së BIA-s serbe, Relja Željko, e cilësoi si “njeri të rrezikshëm” dhe me “qasje antiserbe”. Për Islamin, ky qëndrim nxjerr në pah karakterin e vërtetë dhe agresiv të regjimit të Beogradit.
Që prej vitit 2018 dhe deri tani, ky përfaqësues i lartë i inteligjencës serbe ka zhvilluar, sipas tij, një fushatë të ashpër sulmesh, shantazhesh dhe denigrimi ndaj çdo elementi shqiptar, duke e kthyer institucionin që përfaqëson në një qendër propagande kundër Republikës së Kosovës.
Željko, vijon reagimi, bashkon në një të vetme Albin Kurtin, institucionet e Kosovës, AKI-në dhe vlerat e shenjta të UÇK-së, duke i paraqitur si një “makinë agresive” që gjoja përbën kërcënim për Serbinë.
Një qasje e tillë, sipas Islamit, përbën luftë të drejtpërdrejtë hibride dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ai shprehet se në Beograd vazhdon të jetë e pranishme mendësia fashiste e viteve ’90. Sipas tij, çdo zë i lirë, gazetar që flet me guxim dhe institucion i Kosovës trajtohet si objektiv që duhet goditur nga aparati serb i spiunazhit.
Islami thekson se shqiptarët nuk duhet të bien pre e kësaj propagande. Përballë saj, ai kërkon bashkim dhe përhapje të së vërtetës, duke insistuar se Kosova nuk mund të thyhet as nga shantazhet e BIA-s dhe as nga listat e saj të rrezikshme.
