Sot mbushen gjashtë vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, proces i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të lidhura
None found
Zotimet për normalizimin ekonomik u firmosën në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Dokumenti përfshinte zotime që lidheshin me infrastrukturën, ekonominë, energjinë, sigurinë, personat e pagjetur dhe lirinë fetare.
Si pjesë e marrëveshjeve të arritura në Uashington, Kosova dhe Izraeli ranë dakord ta njihnin njëra-tjetrën. Kosova më pas vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ndërsa Ambasadën e saj në Jerusalem e hapi më 14 mars 2021.
Një prej pikave të dokumentit e obligonte Kosovën që, për një periudhë njëvjeçare, të mos aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në anën tjetër, Serbia mori përsipër ta pezullonte për një vit fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Në vijim paraqiten zotimet kryesore të përfshira në dokumentet e nënshkruara nga pala kosovare dhe ajo serbe.
Kosova dhe Serbia u angazhuan ta zbatonin marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të firmosur më 14 shkurt 2020, si dhe marrëveshjen e së njëjtës datë për lidhjen hekurudhore Beograd-Prishtinë. Ato morën përsipër gjithashtu t’i përkushtoheshin hartimit të një studimi fizibiliteti për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të thellë në Adriatik.
Palët u zotuan të bashkëpunonin me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, me qëllim vënien në funksion të projekteve që përfshinin Autostradën e Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe atë Nish-Prishtinë. Në këtë angazhim përfshihej edhe sigurimi i financimit për mbështetjen e kredive të nevojshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, realizimi i projekteve të tjera dypalëshe dhe prania e plotë ndërkombëtare në Beograd e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.
Dokumenti parashihte që të dyja palët ta hapnin dhe ta vinin në funksion objektin në pikëkalimin e përbashkët në Merdare. Kosova dhe Serbia do t’i bashkoheshin gjithashtu nismës së atëhershme të njohur si “mini-Schengen”, të shpallur në tetor 2019 nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe do t’i shfrytëzonin përfitimet që ajo ofronte.
Mes zotimeve ishte edhe njohja e ndërsjellë e diplomave dhe certifikatave profesionale.
Për çështjet energjetike, palët ranë dakord të punonin me Departamentin amerikan të Energjisë dhe me institucionet e tjera të Qeverisë amerikane për përgatitjen e një studimi fizibiliteti mbi përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit si burim për furnizim me ujë dhe energji. Të dyja palët u angazhuan po ashtu për diversifikimin e burimeve të tyre energjetike.
Në fushën e telekomunikimeve, Kosova dhe Serbia morën përsipër ta ndalonin përdorimin në rrjetet e tyre të komunikimit të pajisjeve 5G të siguruara nga furnizues të vlerësuar si të pabesueshëm. Në rastet kur pajisje të tilla ishin tashmë të instaluara, ato duhej të largoheshin në kohën e duhur.
Marrëveshja përfshinte edhe rritjen e kontrollit të udhëtarëve ajrorë dhe zgjerimin e shkëmbimit të informacioneve. Palët u angazhuan gjithashtu për përditësime teknologjike në luftën kundër aktiviteteve keqdashëse, duke përdorur sisteme të siguruara nga SHBA-ja, përfshirë PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.
Sa i përket lirive fetare, të dyja palët u zotuan t’i mbronin dhe t’i promovonin ato. Kjo përfshinte rifillimin e komunikimit ndërfetar, ruajtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që kishin të bënin me Kishën Ortodokse Serbe. Në këto zotime përfshihej edhe çështja e pronave hebreje të periudhës së Holokaustit.
Kosova dhe Serbia u angazhuan t’i përshpejtonin përpjekjet për gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur. Ato morën përsipër gjithashtu të punonin për zgjidhje të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit, si dhe të caktonin pika kontakti në ministritë përkatëse.
Një tjetër zotim përcaktonte se palët do të punonin me 69 vendet ku homoseksualiteti kriminalizohet, me synim dekriminalizimin e tij.
Të dyja palët ranë dakord ta shpallnin Hezbollahun, në tërësinë e tij, organizatë terroriste dhe të ndërmerrnin masa për kufizimin e operacioneve dhe veprimtarive financiare të kësaj organizate brenda juridiksioneve të tyre.
Kosova pranoi zbatimin e një moratoriumi njëvjeçar, gjatë të cilit nuk do të kërkonte anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia, nga ana tjetër, u pajtua me një moratorium njëvjeçar ndaj fushatës së saj kundër njohjes së Kosovës. Beogradi gjithashtu duhej të përmbahej nga kërkesat zyrtare ose jozyrtare drejtuar shteteve apo organizatave ndërkombëtare që të mos e njihnin Kosovën si shtet të pavarur. Të dyja moratoriumet hynë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.
Në fund, dokumentet konfirmonin edhe pajtimin e Kosovës dhe Izraelit për njohje të ndërsjellë.
