Koalicioni VLEN i ka kërkuar BDI-së të japë një përgjigje të prerë pas deklaratave të Gëzim Ostrenit për Marrëveshjen e Ohrit dhe rolin e Ali Ahmetit, duke reaguar ndaj asaj që e cilëson si heshtje të kësaj partie.
Të lidhura
None found
Sipas VLEN-it, BDI-ja nuk është prononcuar ende, ndonëse në konferencën e djeshme për media u paraqitën publikisht qëndrimet e Ostrenit lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe mënyrën e trajtimit kushtetues të gjuhës shqipe.
Në reagimin e koalicionit thuhet se është e papranueshme që BDI-ja të mos përgjigjet ndaj deklaratave të një prej figurave kryesore të vitit 2001, veçanërisht kur ato lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si gjuha shqipe është përfshirë në Marrëveshjen e Ohrit.
VLEN-i vlerëson se BDI-ja duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të drejtpërdrejtë: A e mohon Ali Ahmeti Gëzim Ostrenin?
Nga koalicioni deklarojnë se Ali Ahmeti e ka përdorur vazhdimisht Marrëveshjen e Ohrit si përgjigje për gjithçka që ka bërë, por edhe për shumëçka që nuk ka realizuar. Sipas tyre, këtë herë pikërisht kjo marrëveshje e ka vënë në pozitë të vështirë dhe e ka lënë pa përgjigje, jo për shkak të pretendimeve të VLEN-it, por për shkak të asaj që ka thënë Gëzim Ostreni.
VLEN-i rikujton se Ostreni ka deklaruar publikisht se, në periudhën kur Ali Ahmeti udhëhiqte lojën politike, gjuha shqipe nuk u përfshi në Kushtetutë me emërtimin e saj. Ai, sipas koalicionit, ka treguar gjithashtu se vetëm shumë vite më vonë e kishte kuptuar se formulimi kushtetues nuk ishte “gjuha shqipe”, por gjuha e një komuniteti që përbën mbi 20 për qind të popullsisë.
Koalicioni thekson se këto pohime nuk janë ngritur nga VLEN-i, por janë bërë nga vetë Gëzim Ostreni. Për këtë arsye, sipas tyre, BDI-ja nuk mund të veprojë sikur nuk i ka dëgjuar ose nuk i ka kuptuar. VLEN-i kërkon që, nëse Ali Ahmeti e mohon Ostrenin, të dalë publikisht dhe të shpjegojë se cila pjesë e deklaratës së tij nuk qëndron.
