Kosova ndodhet vetëm një ndeshje larg një arritjeje historike, kualifikimit në Kampionatin Botëror 2026. Për ta realizuar këtë synim, megjithatë, përfaqësuesja kosovare duhet të kalojë pengesën e quajtur Turqi.
Të lidhura
None found
Për këtë përballje ka folur në një intervistë ekskluzive për Telegrafin trajneri i njohur turk dhe ish-futbollisti Hamza Hamzaoglu.
Hamzaoglu ka një karrierë të pasur si trajner, ndërsa veçanërisht mbahet mend për sezonin 2014/2015, kur në krye të Galatasarayt fitoi brenda një edicioni kampionatin, Kupën e Turqisë dhe Superkupën.
Aktualisht, ai është pjesë e klubit arab Al Shabab, ku ushtron detyrën e ndihmës-trajnerit.
Telegraph: Si e vlerësoni paraqitjen e Turqisë në këtë cikël kualifikues për Botëror dhe cilët futbollistë kanë barrën kryesore në ekipin kombëtar?
“Turqia ka arritur deri në këtë fazë me sukses. E kaloi pengesën e Rumanisë, edhe pse nuk ishte aspak e lehtë. Tani e pret finalja e plejofit kundër Kosovës, me një vend në Kupën e Botës në lojë, dhe sipas mendimit tim, Turqia është favorite në këtë takim.”
“Nëse nuk ndodh diçka e papritur, besoj se Turqia do të kualifikohet. Sidoqoftë, futbolli na mëson se favoritët nuk fitojnë gjithmonë. Kosova është një skuadër e disiplinuar, e re dhe dinamike, me shumë lojtarë që aktivizohen në klube të mira evropiane. Kjo do t’ia vështirësojë punën Turqisë.”
Telegraph: Cila është pika më e fortë e Turqisë dhe cilët lojtarë mbajnë peshën kryesore të ekipit?
“Forca kryesore e Turqisë është përvoja e futbollistëve, pavarësisht moshës së tyre të re. Një tjetër avantazh është se shumë prej tyre kanë luajtur së bashku për një kohë të gjatë. Në skuadër ka lojtarë me përvojë nga ndeshje të nivelit të lartë, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, si dhe futbollistë me shumë eksperiencë në ligat kryesore evropiane.”
“Sipas filozofisë së Montellës, ekipi ka përqafuar një mënyrë loje pa një sulmues fiks. Kjo i ka mundësuar të krijojë ekuilibër mes një mbrojtjeje të fortë dhe një sulmi efikas. Për Turqinë, çdo ndeshje në të cilën arrin të luajë sipas stilit të saj është e mundur të fitohet.”
“Lojtarët që kanë barrën kryesore janë Ugurcan (Cakir), Abdulkerim (Bardakci), Hakan Calhanoglu, Kenan Yildiz, Arda Guler dhe Baris Alper. Një kontribut të madh në mesfushë jep edhe Ismail Yuksek, i cili ndihmon repartin defensiv me përkushtimin dhe sakrificën e tij.”
Telegrafi: Si e vlerësoni Kosovën si kundërshtar në finalen e plejofit?
“Në vitin 2014, kur isha ndihmës-trajner i përfaqësueses së Turqisë, zhvilluam një ndeshje miqësore në Kosovë. Që prej asaj kohe, Kosova ka shënuar përparim të vazhdueshëm dhe çdo vit është bërë më e fortë, duke zhvilluar ndeshje efektive edhe ndaj kundërshtarëve të fuqishëm. Si trajner me origjinë ballkanike, kjo më gëzon shumë.”
“Kosova ka disa lojtarë të njohur në Turqi. Në mesin e tyre janë Vedat Muriqi, portieri Muric nga Adana Demirspor, Hadergjonaj dhe Aliti nga Alanyaspor, si dhe Milot Rashica nga Besiktas. Gjithashtu, te Hoffenheimi kam vërejtur Asllanin dhe Hajdarin, të cilët më kanë bërë përshtypje.”
“Një ndër pikat më të forta të Kosovës është disiplina, ndërsa trajneri i saj, Franco Foda, di ta nxjerrë maksimumin nga futbollistët. Pikërisht disiplina taktike do të jetë arma kryesore e Kosovës përballë Turqisë.”
“Në një ndeshje të tillë, më shumë gjasa për të triumfuar do të ketë skuadra që tregohet e duruar, ruan disiplinën taktike dhe bën më pak gabime. Uroj sukses për të dyja ekipet.”
Mbulimi special i kësaj ngjarjeje ofrohet nga DFK Group, Daakonn Investments, Voom, Patos Kosova dhe 99esim.
/Telegraph/
