Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se gjashtë deputetët e partisë që nuk e mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës mund të përballen me masa disiplinore.
Të lidhura
None found
Ai deklaroi se procedurat brenda LDK-së do të shqyrtohen në kohën e duhur, por theksoi se shqetësimi i tij kryesor lidhet me pasojat që kjo situatë mund të ketë për Kosovën.
Abdixhiku kritikoi zhvillimet politike, duke vlerësuar se vendi po humb një mundësi për t’iu shmangur asaj që ai e cilësoi si politizim individual. Sipas tij, situata është tepër e rëndë dhe përpjekjet për të menduar përtej zemërimit e për t’i shërbyer vendit rrezikojnë të zëvendësohen nga shtrirja e pushtetit absolut të një partie të vetme në Republikën e Kosovës.
Ai tha se nuk e di ende se kush do të jetë në listë, ndërsa shtoi se vendimi do të merret me kohë. Abdixhiku u shpreh se nuk është e qartë nëse dikush dëshiron të shkojë menjëherë në zgjedhje, por paralajmëroi se pasojat e kësaj gjendjeje do të kuptohen dhe do të shihen shumë shpejt, kur një kërkesë e tillë të rikthehet.
“Edhe njëherë, unë vetëm ndjek Këshillin dhe kërkoj falje për popullin e Kosovës. Kaq munda, nuk munda më tepër. Jo me këtë grup parlamentar, jo me këtë përçarje, jo me këtë ndarje, nuk munda më tepër”, tha ai.
