Anthropic ka lidhur një marrëveshje prej 35 miliardë dollarësh për shërbime cloud me Lambda, kompani e mbështetur nga prodhuesi i çipave Nvidia. Marrëveshja synon të rrisë kapacitetet informatike që nevojiten për zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale, raportoi Wall Street Journal.
Të lidhura
None found
Në bazë të këtij pakti, Anthropic do të përdorë infrastrukturën kompjuterike të një qendre të dhënash që po ndërtohet në Nueces County, Teksas.
Qendra, e cila po zhvillohet nga Hut 8, parashikohet të ketë një kapacitet prej rreth 350 megavatësh, sipas Wall Street Journal.
Një burim i cituar nga gazeta tha se marrëveshja do të ndihmojë në aktivizimin e kapacitetit të Nvidia-s për t’iu përgjigjur kërkesës gjithnjë në rritje për modelet Claude AI të Anthropic.
Nvidia është investitore në Lambda dhe i siguron kësaj kompanie çipat që përdoren në shërbimet e saj cloud. Sipas raportit, prodhuesi amerikan i çipave ka marrë gjithashtu me qira qendrën e të dhënave në Teksas.
Hut 8 bëri të ditur në korrik se kishte firmosur një marrëveshje 15-vjeçare qiraje me një klient të klasit të investimit për një pjesë të kampusit Beacon Point në Teksas, i cili ka kapacitet 1 gigavat.
Vlera e kontratës gjatë afatit bazë ishte përcaktuar në 19.6 miliardë dollarë, ndërsa më vonë qiramarrësi u identifikua si Nvidia, thuhet në raport.
Marrëveshja e re me Lambda është pjesë e strategjisë së Anthropic për të siguruar më shumë burime informatike, në kushtet e rritjes së përdorimit të modeleve Claude AI dhe asistentit të programimit Claude Code.
Wall Street Journal raportoi se Anthropic ka rënë dakord të shpenzojë gjithashtu 45 miliardë dollarë përgjatë gjashtë viteve për të marrë me qira kapacitet kompjuterik nga Nscale. Ky kapacitet do të vendoset në një qendër të dhënash që po ndërtohet në Virxhinian Perëndimore.
Objekti pritet të ketë 460 megavat kapacitet dhe do të funksionojë me procesorët e gjeneratës së ardhshme të Nvidia-s.
Sipas gazetës, Anthropic ka angazhuar më shumë se 100 miliardë dollarë për një periudhë 10-vjeçare me Amazon Web Services, për të siguruar deri në 5 gigavat kapacitet kompjuterik shtesë.
Kompania mbështetet në burime informatike të ofruara nga disa kompani dhe prodhues çipash, mes tyre Nvidia, Google dhe Amazon.
Këto marrëveshje janë nënshkruar në një periudhë kur kompanitë e inteligjencës artificiale po garojnë për të siguruar qendra të dhënash, energji elektrike dhe procesorë të avancuar, të domosdoshëm për trajnimin dhe funksionimin e modeleve gjithnjë e më të fuqishme të IA-së.
