Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur aktakuzë ndaj V.M., të cilin e ngarkon me veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të lidhura
None found
Ngjarja për të cilën bëhet fjalë ka ndodhur më 1 nëntor 2025. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, V.M. dyshohet se ka ndihmuar persona të tjerë në sulmin ndaj të dëmtuarit M.V.
Në aktakuzë thuhet se V.M. kishte fotografuar automjetin e M.V. pranë banesës së tij dhe ia kishte përcjellë fotografitë A.F.-së. Më vonë, kur M.V. ishte nisur drejt një lokacioni në fshatin Kapuricë të Leposaviqit për të blerë mjaltë, V.M. dyshohet se e kishte informuar A.F.-në për lëvizjen e tij.
Prokuroria pretendon se, pasi M.V. kishte mbërritur në atë lokacion, persona të panjohur e kishin plagosur dhe rrëmbyer, për ta dërguar më pas në territorin e Serbisë.
V.M. akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në fshatin Leshak, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie dytytëshe, një tytë të armës së gjatë, një jelek gjuetie me 28 fishekë dhe 11 fishekë të tjerë.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që V.M. ta shpallë fajtor dhe ta dënojë në përputhje me ligjin.
