Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka marrë pjesë në Forumin e Bledit, ku falënderoi ministrin slloven të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Tone Kajzer, për organizimin e një mëngjesi pune me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Të lidhura
None found
Sipas Zulfajt, takimi shërbeu si një mundësi për të paraqitur prioritetet e Kosovës lidhur me avancimin e statusit të saj si vend kandidat dhe me nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian u krijua si një projekt paqeje dhe se, në kushtet e luftës në kontinent, procesi i zgjerimit është më i rëndësishëm se kurrë.
Zulfaj u shpreh se vendet që ndajnë vlerat e BE-së, forcojnë demokracinë, përafrojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me PESC-në e Bashkimit Evropian, si dhe konsolidojnë institucionet e sundimit të ligjit, duhet të vijojnë përpara në procesin e integrimit.
“Kjo është në interesin e vetë Bashkimit Evropian dhe përbën një përgjegjësi të përbashkët për çdo shtet anëtar, pavarësisht nëse është i madh apo i vogël”, ka shkruar ai.
Sipas kryenegociatorit, Kosova mbetet e angazhuar në procesin e anëtarësimit, pasi ky proces kontribuon në përmirësimin e vendit.
“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme. Ato lehtësojnë lëvizjen dhe lidhjet mes qytetarëve tanë, ndërsa u krijojnë të rinjve mundësinë të ndërtojnë të ardhmen në rajon, në vend që të largohen prej tij”, ka deklaruar Zulfaj.
Ai shtoi se Kosova pret të bashkëpunojë me Slloveninë për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
