TAV Maqedoni ka njoftuar se nga 1 shtatori 2026 do të zbatohen kushte të reja për përdorimin e hapësirës “Hug & Fly”, e cila ndodhet përpara terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.
Të lidhura
None found
Automjetet do të lejohen të ndalojnë pa pagesë për një maksimum prej 10 minutash, për të sjellë ose marrë udhëtarë. Megjithatë, kjo hyrje falas do të mund të përdoret vetëm një herë për çdo automjet brenda 24 orëve.
Kontrolli i hyrje-daljeve do të bëhet nga një sistem automatik që identifikon dhe regjistron targat e automjeteve. Sipas TAV Maqedoni, masa synon të garantojë lëvizje të pandërprerë, si dhe qasje më të sigurt e më praktike në terminal, sidomos kur numri i pasagjerëve është i lartë.
Udhëtarët apo shoqëruesit që kanë nevojë të qëndrojnë më gjatë mund të përdorin parkingun e madh përpara terminalit. Ky parking funksionon 24 orë në ditë dhe ofron 1.200 vende për automjete, si edhe gjashtë hapësira për autobusë. (INA)
