Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike situatën më të fundit të zjarreve në vend, deri më 31 gusht, ora 20:00. Sipas të dhënave, nga 12 vatra të evidentuara, 4 janë ende aktive, 4 mbahen nën monitorim, ndërsa 4 janë shuar.
Për menaxhimin e situatës, përveç strukturave vendore, në operacione janë përfshirë 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Të lidhura
None found
Një prej vatrave aktive ndodhet në Dajt–Qafë Priskë, ku po vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve. Në këtë zonë është evidentuar edhe një riaktivizim, ndërsa në operacion marrin pjesë 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 efektivë të FA dhe 1 helikopter.
Situata vijon edhe në Vajkal të Bulqizës, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Për përballimin e tij janë angazhuar 53 forca, mes tyre 30 efektivë të FA.
Një tjetër vatër aktive është në Lundre të Matit, ku flakët po përhapen në zonë pyjore. Ndërhyrja aty mbështetet nga 20 efektivë të FA dhe 1 helikopter. Ndërkohë, në Urën e Shtrenjtë, Shkodër, terreni i pjerrët dhe mungesa e rrugëve e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen.
Vatrat e vendosura nën mbikëqyrje janë ato në Qafë të Helmës–Bulqizë, Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Zhejë–Kurbin. Në Zhejë u përdorën 3 mjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter, ndërsa aktualisht aty nuk raportohet më prani e një vatre aktive.
Zjarret në Sllatinë–Dibër, Ballenjë–Martanesh, Bershi–Kurdari–Patinë në Klos dhe malin e Dardhës–Librazhd janë shuar plotësisht.
Sipas vlerësimit të përgjithshëm, zonat e banuara nuk paraqiten në rrezik nga vatrat aktive. Përparësi në operacionet e ndërhyrjes mbeten Dajti, Vajkali dhe Lundre, për shkak të zgjatjes së zjarreve, terrenit të vështirë dhe nevojës për koordinim të forcave tokësore me ato ajrore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku kërkohet, duke pasur si objektiv kryesor mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.
