Real Madridi do të përballet me Interin në ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve pa Arda Guler, Eduardo Camavinga dhe Bernardo Silva, të cilët do ta shlyejnë pezullimin e marrë në edicionin e kaluar të turneut.
Të lidhura
None found
Sipas rregullave të UEFA-s, kartonët e verdhë të akumuluar fshihen në përfundim të sezonit, ndërsa ndëshkimet e ardhura si pasojë e kartonëve të kuq vazhdojnë të vlejnë edhe në sezonin pasues.
Guler dhe Camavinga u përjashtuan në çerekfinalen kundër Bayern Munichut, pasi morën nga dy kartonë të verdhë. Për këtë arsye, të dy futbollistët u dënuan me nga një ndeshje moslojë.
Edhe Bernardo Silva do të mungojë, pasi gjatë kohës që ishte pjesë e Manchester Cityt u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq. Ai përdori dorën për të ndalur një goditje që po drejtohej në portë, në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8 së finales ndaj Real Madridit.
Në rast se UEFA nuk merr një vendim të jashtëzakonshëm, trajneri Jose Mourinho nuk do të mund të llogarisë në asnjërin prej këtyre tre lojtarëve në duelin e 8 shtatorit ndaj Interit, që do të luhet në “Santiago Bernabeu”.
Mungesa e tyre është një problem i madh për Real Madridin, i cili kërkon ta nisë me sukses fushatën në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klubet.
