Një tragjedi ka ndodhur në Romë, ku një djalë 16-vjeçar dyshohet se ka sulmuar nënën e tij 50-vjeçare. Gruaja u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua në Centocelle, një zonë në pjesën lindore periferike të kryeqytetit italian. Nëna dhe i biri banonin prej rreth tre vitesh në apartamentin ku ndodhi sulmi. Sipas raportimeve të mediave italiane, fqinjët nuk kishin vënë re më parë konflikte të veçanta mes tyre, ndërsa pasditen e ngjarjes nuk kishin dëgjuar zhurma, britma apo kërkesa për ndihmë.
Pas incidentit, adoleshenti dyshohet se ka marrë vetë në telefon numrin e emergjencës 112. Gjatë bisedës me autoritetet, ai ka deklaruar se kishte goditur nënën e tij.
Policia e gjeti 16-vjeçarin jashtë ndërtesës, të ulur dhe me veshjet e njollosura me gjak. Në apartamentin në katin e parë ndodhej nëna e tij, e cila ishte ende gjallë, por në gjendje shumë të rëndë.
Gruaja u dërgua me urgjencë në Poliklinikën Tor Vergata. Megjithatë, disa orë më vonë ajo ndërroi jetë, pasi plagët e marra rezultuan fatale.
Pas ngjarjes, 16-vjeçari është shtruar në repartin psikiatrik të Poliklinikës Umberto I në Romë. Nga hetimet paraprake mësohet se ai kishte shfaqur probleme edhe më herët.
