Vendim i ri: S’mund të shkoni në dasma e klube të natës pa qenë të vaksinuar (FOTO LAJM)

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe përfaqësuesi i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Driton Hoti, kanë diskutuar sot për masat e reja anti-COVID.

Në njoftimin e OHT-së bëhet e ditur se është marrë vendim që vaksina anti-COVID të jetë obligative për qytetarët që do të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, në qendra tregtare, klube të natës dhe ahengje familjare.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së.

Tutje, bëhet e ditur se stafi punues i këtyre sektorëve obligohet të jetë i vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës, deri më 12 gusht.

“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektoreve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se është diskutuar edhe zgjatja e orarit për klubet e natës.

“Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht.


Shtuar 6.08.2021 17:23