Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka të drejtë dhe as mekanizëm për t’i detyruar komunat të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar, deklaroi drejtori i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Info Magazine”, Ibrahimi sqaroi se pjesëmarrja do të varet nga vullneti i komunave. Megjithatë, ai tha se pret që në protestë të jenë të pranishëm anëtarë të kuvendeve komunale dhe qytetarë nga komunat e Kosovës.
“Protesta, normal, pjesëmarrja është vullnetare, domethënë në asnjë moment Asociacioni nuk ka mekanizëm që i obligon apo i detyron komunat që të protestojnë. Mirëpo unë jam i bindur që ka me pas edhe anëtarë të kuvendeve komunale apo qytetarë nga këto komuna, sepse dëmi i cili po shkaktohet nga niveli qendror është i jashtëzakonshëm”, tha Ibrahimi.
Ndër çështjet që ai i cilësoi problematike ishte edhe kontrata kolektive. Po ashtu, Ibrahimi përmendi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin tha se ende nuk është zbatuar nga niveli qendror.
Ai paralajmëroi se pasojat financiare për komunat mund të jenë të mëdha. Në rast se gjykatat nisin t’ua marrin komunave mjetet financiare për moszbatimin e aktgjykimit, humbjet, sipas tij, mund të tejkalojnë 60 milionë euro.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se protesta do të mbahet më 1 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Përmes saj, komunat kundërshtojnë ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e tyre, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
