Në mes të shkatërrimit të shkaktuar nga katastrofa që përfshiu Nepalin dhe Tibetin, mbijetesa e një gruaje 94 vjeçe është shndërruar në një histori simbolike shprese.
Të lidhura
None found
Gunakeshari Bohara, e cila banonte në një azil pleqsh në distriktin Rasuwa, në pjesën veriore të Nepalit, u gjet ende gjallë nën baltën dhe rrëketë e furishme të ujit që kishin vërshuar nga malet.
Videot nga operacioni për nxjerrjen e saj janë përhapur gjerësisht në media dhe në rrjetet sociale. Pamjet tregojnë një ekskavator që çan rrugën mes baltës, teksa dy pjesëtarë të ekipit të shpëtimit e transportojnë 94-vjeçaren në kovën e mjetit. Me trupin të mbuluar plotësisht nga balta dhe veshjet e qullura, e moshuara shfaqet e pafuqishme dhe e tronditur.
Më pas, një nga shpëtimtarët e mbulon me batanije. Vështrimi i habitur që ajo i drejton atij ka krijuar një çast prekës për mijëra njerëz.
Nga të gjithë banorët dhe punonjësit e azilit, Bohara ishte e vetmja që mbijetoi. Ndërtesa u rrënua nga masa e ujit dhe baltës, ndërsa ekipet ushtarake përdorën një ekskavator për ta nxjerrë 94-vjeçaren nga toka.
Pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, ajo u transportua në një qendër traume në Katmandu. Mjekët zbuluan se Bohara vuante nga demenca dhe se tronditja e rëndë e kishte bërë të paaftë të thoshte emrin ose të tregonte çfarë kishte ndodhur.
Identiteti i të moshuarës u përcaktua më vonë, kur një i afërm e dalloi mes pacientëve që po trajtoheshin në spital.
Gjendja e Boharës po përmirësohet, sipas mjekëve. Në materialet më të fundit të shpërndara nga mediat ndërkombëtare, ajo shfaqet e mbuluar me batanije dhe e shtrirë në shtratin e spitalit.
Një nga mjekët deklaroi për The Times se pacientja nuk është në gjendje të tregojë mënyrën se si arriti të shpëtonte, ndërsa të gjithë personat e tjerë në azil kanë humbur jetën. Sipas tij, ndoshta nuk do të mësohet asnjëherë se çfarë ndodhi dhe mbijetesa e saj është një mrekulli.
Rasti i 94-vjeçares u ka dhënë sërish shpresë familjeve që vazhdojnë kërkimet për të afërmit e zhdukur si pasojë e katastrofës.
Në qendrat e emergjencës në Katmandu, familjarët presin të dëshpëruar çdo të dhënë për njerëzit e tyre. Prej disa ditësh, një grua po kërkon xhaxhain e saj, ndërsa një tjetër lutet që të gjendet djali i saj, banesa e të cilit u shkatërrua tërësisht nga uji dhe balta.
Ndërsa bilanci i viktimave dhe personave të zhdukur vijon të rëndohet, shpëtimi i Gunakeshari Boharës mbetet një prej historive të pakta që përcjellin shpresë mes pasojave të katastrofës.
