Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë konfirmuar se gjatë takimit të tyre kanë diskutuar për emra konkretë për Presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk kanë bërë të ditur se cilët janë ata.
Të lidhura
None found
Sipas dy liderëve, emrat nuk u bënë publikë për shkak të natyrës së ndjeshme të negociatave. Ndërkohë, zgjedhja e Presidentit është shndërruar në një nga çështjet kryesore të debatit politik për zgjidhjen e ngërçit institucional.
Në këtë klimë, ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi u është drejtuar liderëve politikë kosovarë me propozimin që Faton Bislimi të merret në konsideratë për postin e Presidentit të Republikës. Kjo vjen pas një qëndrimi të ngjashëm të ish-ambasadorit amerikan Ëilliam Walker.
Propozimi i DioGuardit është bërë në një moment kur Kurti dhe Abdixhiku kanë pranuar se bisedimet e tyre kanë kaluar nga përcaktimi i kritereve te shqyrtimi i emrave konkretë për kreun e shtetit.
Mbështetja e dy figurave amerikane ka nxitur diskutime të reja: nëse Faton Bislimi mund të shërbejë si një emër që kapërcen ndarjet partiake dhe nëse ai mund të bëhet pikë takimi mes partive kosovare.
Megjithatë, përkrahja e Walkerit dhe DioGuardit nuk e bën automatikisht Bislimin kandidat konsensual dhe nuk përfaqëson qëndrim zyrtar të administratës amerikane.
Walker dhe DioGuardi nuk flasin në emër të administratës së Shteteve të Bashkuara. Por, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, veçanërisht me SHBA-në, lidhjet e fuqishme të një kandidati në Ëashington mund të ndikojnë në mënyrën se si shihet kandidatura e tij.
Pyetja që mbetet është nëse mbështetja publike e dy personaliteteve amerikane mund të shndërrohet në një mundësi të vërtetë politike për kompromis ndërmjet partive të Kosovës.
Gashi: Përkrahja amerikane e forcon kandidaturën e Bislimit, por vendimtare është mbështetja brenda Kosovës
Analisti nga diaspora, Eduard Gashi, ka thënë për “Bota sot” se deklaratat e Ëilliam Walkerit dhe Joseph DioGuardit duhet të analizohen jo vetëm në raport me emrin e Faton Bislimit, por edhe me peshën që mbajnë vetë këto dy figura amerikane, të cilat prej dekadash janë lidhur me çështjen e Kosovës.
Sipas Gashit, fakti që të dy kanë propozuar publikisht të njëjtin emër, pikërisht kur Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë nisur të diskutojnë kandidatë konkretë, i jep kandidaturës së Bislimit një peshë më të madhe politike. Ai thekson se kjo nuk nënkupton se Bislimi është bërë automatikisht kandidat konsensual dhe as se propozimi vjen nga Uashingtoni zyrtar.
Gashi vlerëson se kredibiliteti i Walkerit dhe DioGuardit në raport me Kosovën bën që propozimi për Bislimin të mos shihet thjesht si një emër i hedhur në opinionin publik.

Ai rendit disa elemente që, sipas tij, e favorizojnë Bislimin: formimin e fuqishëm akademik, përvojën parlamentare, njohjen e realitetit kosovar, lidhjet e forta me diasporën dhe rrjetin e rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara.
Gashi thekson se, në një periudhë kur raportet me aleatët, sidomos me SHBA-në, janë me rëndësi strategjike për Kosovën, këto lidhje përbëjnë një kapital politik që nuk duhet nënvlerësuar.
Megjithatë, analisti nënvizon se një mbështetje e ardhur nga jashtë nuk mjafton për ta shpallur një kandidat konsensual. Sipas tij, kriteri kryesor është nëse kandidati mund të krijojë besim te partitë politike dhe qytetarët brenda Kosovës.
Ai argumenton se Presidenti nuk duhet të jetë as trofe i shumicës dhe as fitore simbolike e opozitës. Kandidati duhet të hyjë në Presidencë pa u perceptuar si instrument i Kurtit, Abdixhikut, PDK-së apo i ndonjë partie tjetër.
Gashi kujton se edhe matematika parlamentare e tregon nevojën për një bashkëpunim më të gjerë. LVV dhe LDK së bashku kanë bazë të fortë për një marrëveshje, por procedura kushtetuese kërkon përfshirje më të gjerë politike.
Për këtë arsye, ai mendon se kandidati duhet të vlerësohet jo vetëm në raport me Albin Kurtin dhe Lumir Abdixhikun, por edhe përballë PDK-së, AAK-së dhe përfaqësuesve të komuniteteve. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të flitet realisht për një President konsensual.
Gashi nuk e kufizon debatin vetëm te Faton Bislimi. Ai propozon që në diskutime të përfshihet edhe Dr. Nikë Gjeloshi, të cilin e konsideron një profil shumë serioz për rrethanat aktuale politike.
Sipas tij, Nikë Gjeloshi është politolog me përvojë shumëdekadëshe, njohës i sistemeve politike dhe i proceseve shtetformuese të Kosovës, si dhe një person që ka qenë pjesë e historisë politike të vendit shumë përpara krijimit të institucioneve të sotme.
Gashi e sheh si avantazh të veçantë faktin që Gjeloshi do ta kuptonte shtetin, Kushtetutën, historinë politike dhe raportin e ndërlikuar mes institucioneve. Ai shton se Kosovës nuk i duhet vetëm një President me kontakte ndërkombëtare, por edhe një figurë me njohuri të thella institucionale.
Nëse kriteret janë përvoja politike, formimi politologjik, memoria institucionale dhe një distancë e mjaftueshme nga përplasja e përditshme mes LVV-së, LDK-së dhe PDK-së, Gashi mendon se Nikë Gjeloshi duhet të jetë pjesë e listës së emrave që shqyrtohen.
Ai e cilëson Gjeloshin një zgjedhje jashtëzakonisht serioze për President të Republikës, ndërsa shton se mbështetja e Walkerit dhe DioGuardit e ka ngritur kandidaturën e Bislimit në një nivel tjetër. Megjithatë, kjo, sipas tij, nuk duhet ta mbyllë garën e ideve dhe të personaliteteve, por ta zgjerojë atë.
Në përfundim, Gashi thekson se zgjedhja duhet të udhëhiqet nga interesi i Republikës dhe jo nga kalkulimet partiake. Sipas tij, Kosova duhet të zgjedhë një figurë që mund t’u drejtohet të gjitha partive me mesazhin se nuk është presidenti i një force politike, por Presidenti i Republikës.
Hyseni: Bislimi mund të bashkojë partitë dhe ta forcojë lidhjen e Presidencës me SHBA-në
Analisti Nehat Hyseni e konsideron procesin e zgjedhjes së Presidentit një moment me rëndësi të veçantë politike dhe institucionale për Kosovën.

Për Hysenin, zvarritja e këtij procesi nuk është më vetëm një mosmarrëveshje e zakonshme ndërmjet partive. Ajo është shndërruar në një provë për kulturën institucionale, aftësinë e klasës politike për të arritur kompromis dhe përgjegjësinë e saj ndaj partnerëve strategjikë të Kosovës.
Në një prononcim për “Bota sot”, ai thotë se diskutimi nuk duhet të përqendrohet vetëm te pyetja se kush do të zgjidhet President, por edhe te lloji i Presidentit që i nevojitet Kosovës në këtë periudhë.
Hyseni thekson se kreu i shtetit duhet të jetë faktor bashkues dhe jo një trofe partiak. Sipas tij, Presidenti nuk mund të jetë shpërblim për fituesin e zgjedhjeve apo instrument i një partie politike, por duhet të përfaqësojë shtetin, qytetarët dhe interesat strategjike të Republikës përtej dallimeve partiake.
Në këtë kuadër, ai e sheh si të rëndësishëm propozimin për Faton Bislimin, veçanërisht për shkak të përkrahjes nga Joseph DioGuardi dhe ish-ambasadori Ëilliam G. Walker.
Hyseni vlerëson se kandidatura e Bislimit nuk është paraqitur vetëm si një emër politik vendor. Ajo është sjellë në debatin publik nga figura amerikane me histori të gjatë angazhimi në çështjen shqiptare dhe në marrëdhëniet Kosovë–SHBA.
Sipas tij, fakti që DioGuardi nuk është i vetmi zë amerikan që ka kërkuar shqyrtimin e Bislimit, pasi edhe Ëilliam G. Walker është shprehur në favor të tij, i jep kandidaturës një dimension më të gjerë si propozim për konsensus dhe orientim euroatlantik.
Hyseni thotë se formimi akademik, përvoja politike dhe lidhjet ndërkombëtare e bëjnë Bislimin një profil të ndryshëm nga modeli tradicional i politikanit kosovar.
Ai shton se Kosovës nuk i duhet vetëm një President që njeh politikën e brendshme, por edhe një figurë që kupton Ëashingtonin, Brukselin, diplomacinë ndërkombëtare dhe mënyrën e funksionimit të vendimmarrjes në demokracitë perëndimore.
Analisti e lidh këtë aspekt edhe me rëndësinë që ka për shqiptarët e Luginës së Preshevës angazhimi amerikan për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Sipas Hysenit, kontributi i Faton Bislimit, bazuar në angazhimin e tij publik, duhet parë si pjesë e përpjekjeve për ta mbajtur çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vëmendjen e institucioneve amerikane.
Megjithatë, edhe Hyseni nënvizon se mbështetja e ardhur nga jashtë Kosovës nuk e bën vetvetiu një kandidat konsensual. Për të, kriteri themelor është aftësia për të siguruar vota përtej kampit politik ku mund të ketë mbështetje fillestare.
Ai kujton se edhe Joseph DioGuardi, në letrën e tij drejtuar liderëve të Kosovës, e ka përcaktuar këtë si kusht: Presidenti duhet të jetë në gjendje të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik dhe të mos shndërrohet në instrument të asnjërës palë.
Nëse Bislimi do të arrinte të mbështetej nga më shumë se një kamp politik, atëherë kandidatura e tij, sipas Hysenit, mund të merrte trajtën e një mundësie reale kompromisi. Por ai thekson se Bislimi mund të shihet si kandidat potencial i kompromisit, jo automatikisht si kandidat konsensual, pasi vendimi përfundimtar u takon deputetëve.
Hyseni paralajmëron se zgjedhja e Presidentit vetëm mbi bazën e përkatësisë partiake, si kandidat i LVV-së, LDK-së, PDK-së apo i një grupi tjetër, do ta niste mandatin e Presidencës me deficit politik.
Në të kundërt, një kandidat i votueshëm nga më shumë se një kamp politik do të krijonte një atmosferë tjetër institucionale.
Në përmbyllje, Hyseni u bën thirrje Kurtit, Abdixhikut, PDK-së dhe AAK-së që ta përdorin këtë moment për të arritur marrëveshje dhe të mos e shndërrojnë Presidencën në vazhdim të konfliktit elektoral.
Ai nënvizon se Presidenti duhet të jetë institucion i Republikës dhe jo pronë e shumicës së radhës.
Hyseni vlerëson se, nëse emri i Faton Bislimit futet në tryezën e negociatave, ai duhet të shqyrtohet mbi bazën e meritës, integritetit, pavarësisë politike, përvojës shtetërore dhe aftësisë për ta përfaqësuar Kosovën jashtë vendit.
Edhe pse Walker dhe DioGuardi nuk mund ta zgjedhin Presidentin e Kosovës, sipas tij, ata mund t’ua rikujtojnë liderëve kosovarë se Presidenca nuk është trofe partiak, por përgjegjësi e lartë shtetërore, përfundoi Nehat Hyseni për “Bota sot”.
