Grupi i Aeroporteve të Mançesterit (MAG) njoftoi të martën se një sulm kibernetik ka prekur të dhënat personale të miliona klientëve të tre aeroporteve britanike, ndërsa theksoi se fluturimet dhe aktiviteti operacional nuk u ndërprenë.
Të lidhura
None found
MAG administron aeroportet e Mançesterit, Londrës Stansted dhe East Midlands, në Anglinë qendrore. Sipas grupit, incidenti lidhet me informacionet e 8.7 milionë klientëve.
Mes të dhënave të marra nga hakerët janë adresat e email-it, numrat e telefonit, numrat e regjistrimit të automjeteve dhe kodet postare.
“Incidenti nuk shkaktoi asnjë ndërprerje operacionale dhe operacionet e aeroportit vijuan normalisht”, deklaroi MAG në një njoftim për shtyp.
Sulmi ndodhi gjatë fundjavës, ndërsa Grupi i Aeroporteve të Mançesterit u vu në dijeni për të vetëm të martën.
MAG sqaroi gjithashtu se në asnjë çast nuk u cenua siguria e pasagjerëve apo ajo e linjave ajrore. Grupi shtoi se të dhënat bankare dhe informacionet e pagesave nuk u prekën.
Autoritetet e aeroportit ia atribuuan incidentin një “pale të tretë të paautorizuar”, pa bërë të ditura të tjera hollësi për autorët.
Hyrja e paautorizuar përfshiu të dhëna të klientëve që lidhen me rezervimet e parkimit, përdorimin e salloneve dhe shërbimeve Fast Track, si edhe regjistrimet Wi-Fi në terminalet e aeroporteve.
“Ne menjëherë e zbutëm rrezikun dhe po punojmë me konsulentë të specializuar, duke marrë masat e duhura për të mbrojtur klientët dhe sistemet tona”, përfundoi kompania që menaxhon aeroportet.
