Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, qëndroi ditë më parë pa paralajmërim në Luginën e Preshevës, ku zhvilloi takime me qytetarët serbë që jetojnë në këtë zonë.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit atje, Vuçiq i garantoi një qytetari se Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) do ta kontaktonte atë ose djalin e tij brenda 48 orësh, lidhur me mundësinë e punësimit.
Kjo vizitë u realizua vetëm një ditë pasi një delegacion politikanësh shqiptarë kishte qëndruar në Tiranë. Në këtë takim ishte diskutuar hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc, si masë reciprociteti ndaj hapjes së Konsullatës së Serbisë në Shkodër.
Koha dhe rrethanat e vizitës së presidentit serb kanë nxitur reagime dhe pikëpyetje për mesazhin e saj politik, sidomos në raport me pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Opinionisti Nehat Hyseni, duke folur për “Bota sot”, tha se premtimi i Vuçiqit nuk mund të trajtohet thjesht si një rast individual. Sipas tij, ai ngre shqetësime më të gjera për funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe për mënyrën se si trajtohen shqiptarët në këtë rajon.
Hyseni vlerësoi se deklarata e Aleksandar Vuçiqit, sipas së cilës një qytetar ose djali i tij do të kontaktohej nga BIA brenda 48 orësh për një mundësi pune, kërkon vëmendje dhe analizë serioze përtej interesit personal të individit.
Ai theksoi se nuk vihet në diskutim e drejta e askujt për të kërkuar punë dhe për të siguruar një jetë me dinjitet në vendin e vet. Përkundrazi, sipas tij, punësimi është një e drejtë themelore dhe shteti ka detyrimin të ofrojë mundësi të njëjta për të gjithë. Problemi, siç tha ai, qëndron te fakti se kreu i shtetit premton publikisht dhe drejtpërdrejt ndërhyrjen e një agjencie sigurie për punësim brenda 48 orësh, duke i dhënë çështjes një karakter të dukshëm politik, institucional dhe qartësisht antishqiptar.
Sipas Hysenit, BIA nuk funksionon as si kompani private dhe as si zyrë komunale ku vendet e punës mund të premtohen gjatë takimeve me qytetarët, por është institucion shtetëror i sigurisë. Vetë agjencia, siç rikujtoi ai, deklaron se angazhimi në të kërkon aftësi dhe tipare të posaçme profesionale, ndërsa rekrutimi kryhet përmes procedurave specifike. Për këtë arsye, ai pyeti nëse kriteri kryesor duhet të jetë meritokracia apo afërsia personale me pushtetin dhe përkatësia kombëtare domosdoshmërisht serbe, në një mjedis ku 95% e popullsisë janë shqiptarë.
Hyseni tha se ndjeshmëria e kësaj teme rritet veçanërisht në Luginën e Preshevës, pasi shqiptarët prej dekadash ankohen për diskriminim dhe përfaqësim të pamjaftueshëm në institucionet shtetërore, sidomos në strukturat e sigurisë, administratë dhe institucionet publike.
Në këto rrethana, sipas tij, premtimi i drejtpërdrejtë për punësim në BIA mund të kuptohet si mjet ndikimi politik dhe si një sinjal i pacipë për shqiptarët se në Serbi dhe në këtë agjenci ka hapësirë vetëm për serbët.
Ai e cilësoi paradoksale gjendjen në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët përballen me papunësi, varfëri, mungesë investimesh dhe largim të vazhdueshëm të të rinjve. Hyseni tha se shqiptarët nuk ikin sepse nuk i duan Preshevën, Bujanocin ose Medvegjën, por sepse nuk gjejnë perspektivë ekonomike dhe profesionale. Sipas tij, Serbia, si shtet diskriminues dhe fashist, i detyron qytetarët joserbë të zgjedhin mes emigrimit dhe mbijetesës.
Hyseni pyeti se ku ndodhet shteti kur duhet të sigurohet punësimi i të rinjve shqiptarë dhe cili është reagimi institucional kur një shqiptar i ri konkurron për punë në polici, ushtri, administratë, gjyqësi, ndërmarrje publike ose institucione sigurie.
Nëse një ndërhyrje telefonike e presidentit mund t’ia përshpejtojë një qytetari mundësinë e punësimit, atëherë, sipas tij, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë që i njëjti shtet t’i sigurojë secilit mundësi të barabarta, pavarësisht përkatësisë etnike.
Ai sqaroi se shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por barazi; nuk duan që vendet e punës t’u falen si shpërblim politik, por kërkojnë konkurrim të drejtë dhe meritokraci. Gjithashtu, siç u shpreh ai, nuk presin që Beogradi t’i “shpëtojë”, por që institucionet e Republikës së Serbisë të mos i diskriminojnë.
Hyseni nënvizoi se trajtimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk lidhet vetëm me të drejtat e tyre, por ka rëndësi edhe për qëndrueshmërinë e vetë Serbisë.
Sipas tij, stabiliteti në Luginën e Preshevës nuk mund të mbështetet te patronazhi politik, favoret individuale dhe raportet klienteliste të drejtpërdrejta. Një politikë e qëndrueshme duhet të bazohet në institucione funksionale, përfaqësim proporcional, zhvillim ekonomik dhe mundësi të barabarta si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët.
Ai tha se deklarata e Vuçiqit jep një sinjal shqetësues, sepse tregon se presidenti mund të ndërhyjë personalisht për të hapur një derë institucionale që për qytetarët e zakonshëm duhet të jetë e arritshme përmes procedurave të rregullta.
Kjo, sipas Hysenit, krijon bindjen se shteti u shërben vetëm serbëve, të cilët kanë qasje të jashtëzakonshme te pushteti, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të shpërfillen dhe diskriminohen. Ai përmendi mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë, fshirjen e adresave dhe spastrimin etnik të Luginës përmes masave administrative e policore, duke theksuar se shqiptarët e këtij rajoni nuk duhet ta pranojnë këtë gjendje si normale.
Hyseni sqaroi se nuk kundërshton punësimin e asnjë qytetari serb. Sipas tij, çdo i ri serb që siguron një punë dhe qëndron në vendlindje është një person më pak i detyruar të largohet. Megjithatë, e njëjta e drejtë duhet t’i garantohet edhe të riut shqiptar. Ai kërkoi që shteti të frenojë emigrimin dhe ta ruajë popullsinë shqiptare përmes politikave të barabarta e jodiskriminuese, jo nëpërmjet përzgjedhjes etnike ose patronazhit politik.
Duke folur për rrugëzgjidhjen, Hyseni vlerësoi se Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për mëshirën politike të Beogradit, por për zhvillim ekonomik dhe drejtësi institucionale, dy çështje që, sipas tij, përbëjnë një dallim thelbësor.
Ai theksoi se një vend pune nuk mund të shërbejë si shpërblim për besnikëri politike, ndërsa punësimi në një institucion sigurie nuk duhet të ofrohet si favor personal. Një pozitë e tillë, sipas tij, duhet të fitohet përmes njohurive, profesionalizmit, integritetit dhe një procesi transparent.
Nëse Serbia synon të dëshmojë se është një shtet demokratik dhe evropian, prova kryesore, sipas Hysenit, nuk gjendet te deklaratat që bëhen në Beograd, por te realiteti në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai përsëriti se shqiptarët e Luginës nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar, por fundin e diskriminimit, duke e cilësuar këtë si kërkesë qytetare, demokratike dhe evropiane.
Në përfundim, Hyseni e lidhi këtë temë edhe me dinjitetin kombëtar. Si shqiptar nga Lugina e Preshevës, ai tha se asnjë i ri shqiptar nuk duhet të detyrohet të emigrojë vetëm për shkak se shteti nuk i ka siguruar kushte të barabarta për të punuar dhe jetuar në vendlindjen e vet.
Ai shtroi pyetjen se përse, nëse një qytetari mund t’i gjendet punë në BIA brenda 48 orësh, nuk mund të krijohen vende dhe mundësi punësimi për mijëra të rinj shqiptarë përmes një sistemi të barabartë, transparent dhe meritokratik. Sipas tij, pikërisht nga kjo pikë duhet të nisë diskutimi serioz për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Hyseni përfundoi duke thënë se vizita e papritur e Aleksandar Vuçiqit nuk ndodhi rastësisht menjëherë pas kthimit të udhëheqësve politikë shqiptarë nga Shqipëria, ku ishte trajtuar hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc si reciprocitet ndaj Konsullatës së Serbisë në Shkodër.
Sipas tij, kjo konsullatë mund të sjellë më shumë dëm sesa dobi, po të merret parasysh se në Luginë jetojnë mbi 130.000 shqiptarë, ndërsa në Shkodër dhe rrethinë zyrtarisht banojnë 160 serbë dhe malazezë. Për këtë arsye, Hyseni e konsideroi vizitën e Vuçiqit edhe si një mesazh diplomatik të pasinqertë dhe të shëmtuar, përfundoi ai për “Bota sot”.
