Artistja dhe mësuesja Arta Ramadani ka shprehur dhimbjen e saj për ndarjen nga jeta të 18-vjeçarit Shpejtim Syles, i cili humbi jetën në Shëngjin.
Të lidhura
None found
Në dedikimin e saj, ajo ka sjellë në kujtesë dashurinë e të riut për artin, pasionin me të cilin punonte dhe talentin që kishte treguar në pikturë.
Ramadani shkruan se atelieja nuk do të jetë më e njëjtë pa Shpejtimin, ndërsa shokët dhe shoqet e tij po e përjetojnë me lot këtë humbje.
Ajo e përshkruan atë si një djalosh që e donte artin me gjithë zemër dhe që krijonte me përkushtim, duke theksuar se ai i mësoi të besonte edhe më shumë te nxënësit e saj.
Duke kujtuar bisedat që kishin zhvilluar për pikturën, mësuesja ka ndarë edhe fjalët e tij: “Për mua, kjo pikturë është e përfunduar, por prapë vendose ti, mësuese!”.
“Lamtumirë, artist! I more me vete të gjitha ngjyrat e jetës… Është kaq e vështirë të shkruaj për ty.
Atelieja do të jetë ndryshe pa praninë tënde. Shokët dhe shoqet e ateliesë janë në lot për humbjen tënde.
Djaloshi që shfaqi dijen e tij, që e deshi artin me gjithë zemër dhe që krijoi me aq shumë pasion. Na mësove se si është të punosh me zemër dhe ta duash jetën nëpërmjet artit.
Shpejtim, ti më ke mësuar të besoj edhe më shumë tek nxënësit e mi. Kemi biseduar gjithmonë për pikturën. Ende më jehojnë në mendje fjalët e tua kur më thoje: Për mua, kjo pikturë është e përfunduar, por prapë vendose ti, mësuese!
Mësuam shumë së bashku. Mësuese e mirë, këtë titull ma dhe pikërisht ti!
Ngushëllime familjes së Shpejtimit, profesorëve dhe arsimtarëve që punuan me të, shokëve e shoqeve, dhe të gjithë atyre që e deshën fort djalin më të mirë të qytetit.
Artistin tonë. Shpejtimin tonë.
Lamtumirë, artist… por arti yt do të mbetet gjithmonë me ne.”
