Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, zhvilluan një vizitë në Shoqatën e të Burgosurve Politikë, ku u diskutua për organizimin e “Marshit për Liri”, i planifikuar të mbahet më 12 shtator në Prishtinë me moton “Kosova po pret”.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, Tasholli dhe Hoxha u pritën nga Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Xhevat Gjini, kryetar i shoqërisë “Lëvizja”, si dhe nga përfaqësues të kryesisë dhe anëtarësisë së Shoqatës.
Biseda u përqendrua te nevoja për një pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Po ashtu, u theksua se aktiviteti i 12 shtatorit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të kapërcejë dallimet politike.
Ismail Tasholli deklaroi se përkrahja e ish-të burgosurve politikë i jep një rëndësi të veçantë “Marshit për Liri”.
“Mbështetja e të burgosurve politikë për Marshin për Liri ka peshë të veçantë. Këta janë njerëz që e kanë paguar me vite burgimi përpjekjen për lirinë e Kosovës dhe e dinë më mirë se kushdo vlerën e saj. Më 12 shtator duam që Prishtina të bashkojë të gjithë ata që besojnë në drejtësi, në të vërtetën e luftës sonë çlirimtare dhe në kthimin e çlirimtarëve tanë në Kosovë. Kosova po pret.”, citohet Tasholli në komunikatë.
Eliza Hoxha tha se marshi duhet të përcjellë një qëndrim të përbashkët qytetar në mbrojtje të historisë, drejtësisë dhe dinjitetit të Kosovës.
“Më 12 shtator nuk marshojmë për një parti apo për një grup të caktuar. Marshojmë për historinë dhe të vërtetën tonë, për njerëzit që ishin pjesë e rrugëtimit tonë drejt lirisë. Prandaj, ky duhet të jetë një marsh që na bashkon të gjithëve. Prishtina duhet ta dëgjojë zërin e Kosovës që pret drejtësi dhe kthimin e çlirimtarëve të saj.”, tha Hoxha.
Mbështetjen e Shoqatës për organizimin e 12 shtatorit e konfirmoi edhe kryetari i saj, Shefik Sadiku, i cili u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive.
“Të burgosurit politikë kanë qenë pjesë e pandashme e përpjekjes së gjatë të popullit tonë për liri. Prandaj, ne e mbështesim fuqishëm Marshin për Liri dhe do të jemi pjesë e tij. Më 12 shtator duhet të jemi bashkë në Prishtinë, për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për t’u dalë në mbështetje atyre që sot ndodhen në Hagë.”, tha Sadiku.
Edhe Xhevat Gjini, në cilësinë e kryetarit të shoqërisë “Lëvizja”, shprehu përkrahjen e tij për marshin dhe vuri në dukje rëndësinë e bashkimit rreth vlerave të luftës çlirimtare.
“Liria e Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të shumë brezave, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot kemi përgjegjësi që këtë histori ta mbrojmë dhe ta përcjellim të vërtetë te brezat që vijnë. Prandaj, më 12 shtator do t’i bashkohemi Marshit për Liri, në mbështetje të çlirimtarëve që po përballen me drejtësinë në Hagë.”, tha Gjini.
Në përmbyllje të takimit, Shoqata e të Burgosurve Politikë ritheksoi se do ta mbështesë plotësisht “Marshin për Liri” dhe do të marrë pjesë në aktivitetin që zhvillohet më 12 shtator.
“Marshi për Liri” do të organizohet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nën moton “Kosova po pret”.
