Qytetarët në Maqedoni marrin faturë mujore për energjinë elektrike, ndërsa matësit duhet të lexohen çdo muaj. Në rast se leximi nuk kryhet, shuma mund të përcaktohet mbi bazën e konsumit të supozuar dhe të korrigjohet më vonë, kur të verifikohet gjendja reale. Kjo do të thotë se EVN mund të mos ketë të dhëna të sakta për energjinë e shpenzuar, por megjithatë i faturon konsumatorit një vlerë të caktuar, vlerësojnë nga partia E Majta.
Të lidhura
None found
Sipas kësaj partie, OBRM-PDUKM nuk e eliminoi këtë praktikë me rregullat e reja energjetike, por lejoi që ajo të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026. Dispozitat parashikojnë periudhë mujore të llogaritjes, ndërsa për një numër të madh amvisërish operatori duhet të sigurojë një lexim real të paktën një herë në tre muaj. Në mungesë të matjes, faturimi mbi bazën e vlerësimit lejohet dhe barazimi bëhet më pas.
“Pra, fatura duhet të lëshohet çdo muaj, por matja e saktë nuk është e detyrueshme çdo muaj”, theksojnë nga E Majta. Ata kujtojnë se Ministria e Energjisë, nën drejtimin e OBRM-PDUKM-së, e prezantoi në vitin 2025 Ligjin e ri për energjetikë me premtimin se faturat paushalle do të zhdukeshin. Megjithatë, një vit më vonë, kjo praktikë ende vazhdon.
Partia akuzon pushtetin dhe KRRE-në se, në vend që të heqin bazën ligjore për faturimin paushall, kanë ruajtur një dispozitë që i mundëson operatorit të faturojë sërish sipas supozimeve. Ndërkohë, sipas tyre, EVN nuk përballet me pasoja. Kur konsumatori vonon pagesën, sistemi llogarit menjëherë borxhin, kamatën dhe afatin, ndërsa mund të çojë edhe në ndërprerjen e energjisë. Në të kundërt, kur EVN nuk e lexon matësin, nuk ka sanksion për monopolin dhe barra i kalon qytetarit përmes një faturimi të vlerësuar.
“Nëse vlerësimi është i pasaktë, qytetari është ai që duhet të paraqitet në sportele, të bëjë ankesë dhe të presë korrigjimin. EVN nuk përballet me një proces të tillë. Kjo është mënyra se si funksionon kjo marrëdhënie: operatori nuk e kryen në kohë detyrën, KRRE lejon që mungesa e leximit të shndërrohet në faturë paushall, ndërsa OBRM-PDUKM sillet sikur problemi të mos ekzistonte. Monopoli privat e ka pagesën të garantuar, institucionet i ofrojnë mbështetje normative, kurse rreziku financiar mbetet te amvisëria”, deklarojnë nga E Majta.
E Majta ka kërkuar që faturimi paushall të mos përdoret më si praktikë e zakonshme. Sipas propozimit të tyre, fatura mujore duhet të mbështetet në gjendjen reale të matësit, e përcaktuar përmes leximit fizik, leximit në distancë ose vetë-leximit të vlefshëm. Vlerësimi, sipas tyre, duhet të lejohet vetëm në raste të kufizuara dhe jo si zëvendësim për punën që operatori nuk e ka bërë.
Partia kërkon gjithashtu vendosjen e penaliteteve automatike për EVN-në kur mungesa e leximit shkaktohet nga faji i saj. Ata argumentojnë se, nëse qytetari ndëshkohet automatikisht për vonesën e pagesës, i njëjti parim duhet të zbatohet edhe ndaj monopolit. Një matës i palexuar për shkak të operatorit, sipas E Majtës, nuk duhet të krijojë barrë shtesë financiare për konsumatorin.
Një tjetër kërkesë është që KRRE të veprojë si rregullator dhe jo si mbrojtës i monopolistit. E Majta kërkon mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj Elektrodistribucionit dhe EVN Home, si dhe publikimin e të dhënave për numrin e faturave mujore të lëshuara me lexim real, atyre të bazuara në vlerësim, faturave të korrigjuara dhe ankesave të pranuara nga qytetarët.
Po ashtu, partia kërkon një afat të detyrueshëm për pajisjen e të gjitha amvisërive me matës inteligjentë. EVN, sipas tyre, duhet të ketë një plan të detyrueshëm për instalimin e tyre, ndërsa zbatimi duhet të monitorohet publikisht. Modernizimi, theksojnë, nuk duhet të përdoret sërish si arsye për t’ua kaluar shpenzimet qytetarëve përmes tarifave më të larta.
Në fund, E Majta kërkon hapjen e procedurës për rinasionalizimin e rrjetit distributiv. Pas viteve në të cilat monopoli privat ka pasur pagesë të sigurt, ndërsa konsumatorët nuk kanë marrë garanci për një gjendje reale mujore, partia vlerëson se duhet të shqyrtohet kthimi i infrastrukturës strategjike energjetike në pronësi dhe kontroll publik.
