Arrestimet dhe dënimet e regjistruara deri tani në Kosovë për spiunazh kanë një element të përbashkët: dyshimet për lidhje me shërbimin sekret serb, BIA-n, për të cilën besohet se ka investuar prej vitesh në rekrutimin e bashkëpunëtorëve në vend.
Të lidhura
None found
Rasti më i fundit lidhet me Feim Salin, të cilit iu ndërpre dalja nga Kosova në pikën kufitare të Merdarës. Ai u arrestua më 13 gusht, nën dyshimin se kishte spiunuar për BIA-n serbe.
Më herët, për të njëjtën vepër penale ishte akuzuar edhe Hysri Selimi. Ish-pjesëtari i ISIS-it, në përfundim të procesit gjyqësor, kishte pranuar vetë se ishte pjesë e BIA-s serbe.
Një tjetër çështje për spiunazh mori fund me aktgjykim dënues në prill të vitit 2026. Ish-zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, u shpall fajtore dhe u dënua me gjashtë vjet burgim.
Feim Sali, Hysri Selimi dhe Jelena Gjukanoviq përbëjnë tri rastet e fundit në të cilat institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovë janë angazhuar për dyshime të spiunazhit.
Avokati Arbër Jashari vlerëson se këto zhvillime dëshmojnë një përqendrim më të madh të institucioneve te kjo vepër penale gjatë viteve të fundit.
“Është për t’u inkurajuar që shteti i Kosovës, sidomos në tri vitet e fundit, ka pasë një përparim jashtëzakonisht të madh në luftimin e këtij lloji të kriminalitetit. Këtij lloji të kriminalitetit i cili më parë nuk ka qenë shumë i njohur. Ka qenë vetëm si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, por para vitit 2023 pothuajse shumë pak njerëz janë arrestuar, janë gjykuar e aq më pak dënuar për vepra të tilla penale dhe kjo tregon që ne si shtet ndoshta në të kaluarën nuk kemi qenë shumë vigjilentë ndaj këtij lloji të kriminalitetit”, thotë për Tëvë1 avokati Arber Jashari.
Sipas Jasharit, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon masa të ashpra për personat që kryejnë këtë vepër, ndërsa kohëzgjatja e dënimit varet nga mënyra e kryerjes.
“Varësisht prej formës së kryerjes së kësaj vepre, dënimi minimal mund të jetë 5 vjet, por maksimali mund të arrijë në 10, 12, e në raste të caktuara, në kohë luftash ose në gjendje jo të zakonshme, mund të variojë edhe me dënime shumë më të larta”, shprehet ai.
Informacionet që u dorëzohen personave të angazhuar në veprimtari spiunazhi konsiderohen të një rëndësie të veçantë për shtetin. Profesori Fatmir Çollaku thotë se përmes tyre shtetet armike mund të përfitojnë të dhëna që nuk janë publike dhe t’i përdorin kundër interesit kombëtar.
“Ato informacione te besueshme janë të interesit kombëtarë dhe ato informacione nëse servohen, jepen dikujt tjetër me qëllime te përfitimit çfarëdo qoftë natyre ai përfitim konsiderohet qe i ka bo dëm shtetit tonë dhe për këtë arsye ata persona dyshohen që janë kryer të këtyre veprave penale të spiunazhit dhe pa dyshim që janë të dëmshëm për sigurinë e Kosovës sepse shteti armik, shteti tjetër merr informacione qe s’janë publike dhe ku në bazë të cilave mund të krijojë një plan, skenarë me dëm të interesit nacional gjegjësisht në dëm të sigurisë nacionale”, thotë ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se, përveç rasteve të publikuara tashmë, po heton edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me spiunazhin dhe bashkëpunimin me BIA-n, shërbimin sekret serb.
