Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do t’u dorëzojë nesër dekretet e shtetësisë së Kosovës ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi dhe aktivistes Shirley Cloyes DioGuardi.
Të lidhura
None found
Aktiviteti do të zhvillohet në orën 11:00, në një ceremoni ku dy figurat e njohura do të marrin zyrtarisht dokumentet që u akordojnë shtetësinë kosovare.
Joe DioGuardi, i cili ka shërbyer si kongresist amerikan dhe ka drejtuar Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, njihet si një prej mbështetësve të rëndësishëm të Kosovës dhe si një zë i fuqishëm në SHBA për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi ka kontribuar për shumë vite në promovimin e çështjes së Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara.
Përmes vendimit për dhënien e shtetësisë, institucionet kosovare nderojnë angazhimin e tyre të gjatë në favor të lirisë, pavarësisë dhe forcimit të lidhjeve shqiptaro-amerikane.
