Në Aktas, një vendbanim i izoluar rreth 40 kilometra në verilindje të Almatit, ndodhet Spitali Republikan Psikiatrik me Mbikëqyrje të Intensifikuar.
Të lidhura
None found
Ky kompleks i fortifikuar, i ngritur në skajin perëndimor të një zone të gjerë industriale me miniera dhe gurore, është i vetmi institucion psikiatrik i sigurisë së lartë i këtij lloji në Kazakistan.
Ministria e Shëndetësisë e Kazakistanit thotë se mbi 80 për qind e personave të shtruar aty kanë kryer “krime të rënda ndaj të tjerëve”. Ata qëndrojnë në institucion sipas një regjimi trajtimi të detyrueshëm mjekësor, të vendosur me urdhër gjykate.
Për atë që ndodh brenda mureve të spitalit të Aktasit, deri më tani kanë qenë të pakta të dhënat e disponueshme për publikun.
Diskutimet u shtuan së fundmi, pasi një ish-pacient publikoi në rrjetet sociale disa video, mes të cilave edhe intervista të regjistruara në fshehtësi. Materialet iu dorëzuan më pas Azattyq, Shërbimit Kazak të Radios Evropa e Lirë. Një pjesë e pamjeve janë publikuar në rrjetet sociale, ndërsa disa prej videove të siguruara nga Azattyq janë të reja.
Personi që siguroi regjistrimet, një ish-pacient, kërkoi nga REL-i që identiteti i tij të mos bëhej publik. Shumica e njerëzve që ai intervistoi, ndërkaq, u prezantuan me emër në video. Ai deklaroi se kishte qëndruar në spital nga viti 2022 deri në shkurt të këtij viti dhe se materialet ishin filmuar gjatë viteve 2025–2026. REL-i nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur kohën kur janë realizuar regjistrimet.
Pacientët e intervistuar rrëfyen, njëri pas tjetrit, përvoja jashtëzakonisht të ngjashme lidhur me atë që pretendojnë se janë detyruar të përballojnë.
Ruslan Kemelov tha se stafi e kishte lidhur në shtrat pasi ai nuk kishte pranuar të zbatonte një urdhër. Sipas tij, më pas iu bë një injeksion pa pëlqimin e tij.
Kur u pyet për arsyen e lidhjes në shtrat, Kemelov dha një përgjigje të shkurtër: “Refuzova ta laja lavamanin”.
Duke përmendur konfidencialitetin mjekësor, spitali nuk pranoi të komentonte konkretisht rastin e Kemelovit.
Rrëfime të ngjashme dhanë edhe ish-pacientë të tjerë. Samat Sattarov foli për pasojat e marrjes së detyruar të një ilaçi antipsikotik dhe për kufizimin fizik që, sipas tij, pasoi.
“Pas dekanoatit, një person nuk mund as të ecë, as të ulet, as të shtrihet normalisht. I gjithë trupi është në një gjendje torture. Imagjinoni: kam qëndruar i lidhur në shtrat për dhjetë ditë”, tha ai.
Alisher Karimov, një tjetër pacient, tregoi edhe shpeshtësinë me të cilën pretendon se i bëheshin injeksionet.
“Gjashtë injeksione në ditë – kam marrë 60 injeksione brenda dhjetë ditësh. Edhe më keq është se të lidhin për shtrati. Rri aty i lidhur për dhjetë ditë të plota dhe nuk mund të lëvizësh. Madje nuk të zgjidhin as për të të lënë të shkosh në tualet. Duhet të kryesh nevojat fiziologjike aty ku je”, deklaroi Karimov.
Sattarov beson se kjo mënyrë trajtimi përdoret për t’i frikësuar dhe nënshtruar pacientët.
“Pas të gjitha këtyre ‘ekzekutimeve’, njeriu e humb plotësisht dëshirën për të jetuar. Nuk mund të mendosh më normalisht; bëhesh si një perime”, tha ai.
Organizatat për të drejtat e njeriut vlerësojnë se ndalimi kundër vullnetit për shkaqe të shëndetit mendor duhet të lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, të përcaktuara qartë nga ligji. Një masë e tillë duhet të mbështetet në vlerësimin e profesionistëve të kualifikuar shëndetësorë se personi përbën rrezik serioz dhe të menjëhershëm për veten ose për dikë tjetër.
Elena Semenova, aktiviste për të drejtat e njeriut që mori disa prej videove, tha se dëshmitë e pacientëve kërkojnë një hetim serioz.
“Kjo është shtypje e vullnetit të një personi, futja e frikës tek ai për të arritur një rezultat të dëshiruar, për ta detyruar të kryejë veprime të caktuara. Kjo është torturë”, u shpreh Semenova.
Në intervistat e filmuara, pacientët nuk folën vetëm për kufizime fizike. Ata pretenduan se detyroheshin vazhdimisht të bënin punë fizike të nevojshme për funksionimin e institucionit dhe se dalja nga spitali ishte jashtëzakonisht e vështirë. Sipas dëshmive të tyre, lirimi mund të sigurohej vetëm përmes bindjes së plotë ndaj stafit.
Në një prej videove, një pacient shihet duke larë me duar dhe pa doreza tualetet. I pyetur përse po e kryente këtë punë, ai tha: “Për t’u liruar nga spitali”.
Kur iu kërkua të tregonte nëse personeli i kishte thënë drejtpërdrejt se nuk do të lirohej po të kundërshtonte, përgjigjja e tij ishte: “Po, po”.
Një pacient tjetër tha se ishte urdhëruar të punonte në një deponi mbeturinash, ku, sipas tij, i gjithë procesi i trajtimit të mbetjeve kryhej nga pacientët.
“Nëse thua se nuk do të shkosh, të vendosin në repartin e mbikëqyrjes dhe të japin injeksione”, deklaroi ai.
Pretendimet e pacientëve u mbështetën edhe nga ish-punonjës të institucionit.
“I detyrojnë të lajnë tualetet dhe lavamanët. I detyrojnë”, tha Baizhan Sagyndykov, i cili ka punuar më parë në spital.
Ai shtoi: “Nëse pacientët thonë diçka se duan t’i mbrojnë të drejtat e tyre, i kërcënojnë, duke u thënë: ‘Do të të lidh, do të të jap injeksione’, dhe se do të ndërmarrin edhe masa të tjera. Po jua them këtë bazuar në atë që kam parë personalisht”.
Nagima Nurbekova, një tjetër ish-punonjëse, deklaroi se edhe pacientët që mezi arrinin të ecnin detyroheshin të punonin. Sipas saj, ata që kundërshtonin lidheshin dhe u bëheshin injeksione.
Spitali i hodhi poshtë akuzat për punë të detyruar në përgjigjen dërguar REL-it. Institucioni tha se pacientët nuk kryejnë detyrat e personelit dhe se pastrimi, mirëmbajtja dhe puna në kuzhinë realizohen nga punonjësit.
Edhe drejtori i spitalit, Dulatbek Dauylbekov, mohoi që kufizimi fizik të përdoret për ndëshkim.
“Masat e kufizimit fizik përdoren vetëm kur ka indikacione mjekësore dhe nuk përdoren si ndëshkim apo masë disiplinore”, deklaroi Dauylbekov. Ai këmbënguli se kjo ndërhyrje përdoret vetëm si zgjidhje e fundit dhe kur ka një kërcënim të drejtpërdrejtë për dhunë.
Disa nga pretendimet më të rënda kanë të bëjnë me Repartin nr. 9, të cilin pacientë dhe ish-punonjës e cilësojnë si një nga sektorët më të ashpër të spitalit.
Ish-pacienti Alexey Alekseev tha se kishte parë se si një pacient tjetër, Yuri Prikhodchenko, kapej vazhdimisht me forcë dhe merrte doza të mëdha medikamentesh.
“Për dhjetë ditë, personi detyrohet t’i kryejë nevojat aty ku është, sepse nuk e zgjidhin fare. Ai përjeton mundime të tmerrshme. Po flas hapur për këtë sepse e kam përjetuar vetë”, rrëfeu Alekseev.
Edhe pacienti Timur Nauanov foli për Prikhodchenkon.
“Prikhodchenko është aktualisht në Repartin nr. 9, repartin e tuberkulozit, megjithëse nuk ka tuberkuloz. E kanë vendosur aty qëllimisht sepse kishte filluar të fliste hapur për të drejtat dhe liritë e tij. Kam frikë për shëndetin dhe jetën time sepse ka pasur raste të vdekjes së pacientëve, dhe jo vetëm një herë”, tha Nauanov.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar REL-it, drejtori i spitalit mohoi që një repart i tillë të jetë aktualisht në funksion, megjithëse pacientët e përshkruan me hollësi se ku ndodhet.
Autoritetet sanitare të Kazakistanit dhanë një version që bie ndesh me deklaratën e drejtorit. Ato konfirmuan se institucioni ka një repart me 60 shtretër për pacientë me tuberkuloz, si dhe një dhomë izolimi për personat e dyshuar se janë të prekur nga kjo sëmundje.
Përveçse mohoi ekzistencën e Repartit nr. 9, spitali nuk pranoi të jepte të dhëna për pacientët që pretendohet se mbahen aty. Institucioni iu referua konfidencialitetit mjekësor dhe nuk u dha informacione as familjarëve të pacientëve.
Olga Petrova, nëna e Prikhodchenkos, i tha REL-it se ka hasur vazhdimisht vështirësi për të kontaktuar spitalin dhe se shpesh nuk është lejuar as të takojë djalin.
“Nuk e di fare se çfarë po ndodh apo çfarë po i ndodh djalit tim”, tha Petrova.
Në takimin e tyre të fundit, i cili zgjati pak, Prikhodchenko arriti t’i tregonte nënës se dozat e ilaçeve i ishin shtuar në mënyrë drastike pas emërimit të një drejtuesi të ri të repartit. Jo shumë kohë më pas, Petrova mësoi se i biri kishte lënduar rëndë veten.
“Ai nuk mund të flasë. Sigurisht që nuk mundet. Nëse ai e thotë të vërtetën…”, u shpreh ajo.
Rrëfimet e pacientëve dhe ish-pacientëve kanë ngritur dyshime edhe për vdekjet dhe rastet e vetëlëndimit brenda spitalit.
Sipas të dhënave zyrtare të institucionit, në gjysmën e parë të vitit 2026 u regjistrua vetëm vdekja e një pacienti. Spitali tha gjithashtu se pjesa më e madhe e vdekjeve të pacientëve lidhet me sëmundjet kardiovaskulare.
Institucioni pranoi, megjithatë, se gjatë 18 muajve të fundit ishin regjistruar zyrtarisht dhjetë raste kur pacientët kishin lënduar rëndë veten. Personeli nuk sqaroi nëse bëhej fjalë për tentativa vetëvrasjeje dhe as çfarë pasojash mjekësore kishin shkaktuar incidentet.
Sattarov, i cili tha se kishte parë disa raste vetëlëndimi gjatë qëndrimit të tij në spital, kërkoi që statistikat të verifikohen nga një palë e jashtme.
“Statistikat thjesht duhet të kontrollohen: sa pacientë kanë vdekur dhe nga cilat shkaqe reale”, deklaroi ai.
Pas publikimit të pretendimeve, disa institucione shtetërore kanë filluar hetime.
Prokuroria e Qarkut të Talgarit bëri të ditur se kishte analizuar videot e publikuara në rrjetet sociale dhe kishte nisur kontrolle gjithëpërfshirëse. Inspektimet lidhen me ligjshmërinë e kujdesit mjekësor, respektimin e standardeve sanitare dhe cilësinë e përgjithshme të shërbimeve të ofruara në institucion.
Hetimet e brendshme janë hapur gjithashtu nga Ministria e Shëndetësisë e Kazakistanit dhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut.
Pas daljes së videove, Beksultan Dildabekuly, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit në rajonin e Almatit, reagoi me një paralajmërim të fortë.
“Përdorimi i këtyre masave si mjet ndëshkimi, presioni apo detyrimi nuk lejohet absolutisht sipas ligjit”, tha ai. /rel
