Një incident i rëndë i regjistruar në Korfuz ka ngjallur zemërim të madh mes banorëve dhe shoqatave që merren me mbrojtjen e kafshëve.
Policia ka vënë në pranga drejtuesen e një automjeti, e cila dyshohet se kaloi mbi një qen të shtrirë në rrugë dhe më pas u largua. Ngjarja u shënua në zonën e Avliotes, në pjesën veriore të ishullit.
Të lidhura
None found
Episodi ndodhi në orët e para të së shtunës, më 22 gusht, dhe u kap nga një kamerë sigurie. Në pamje shihet një makinë e bardhë që afrohet drejt qenit të shtrirë në asfalt. Drejtuesja fillimisht duket se ngadalëson, por më pas mjeti kalon mbi kafshën dhe largohet nga vendngjarja.
Kafsha mbeti e plagosur rëndë në rrugë dhe ngordhi disa çaste më vonë.
Hetimet për zbulimin e identitetit të drejtueses nisën pas shpërndarjes së videos, si edhe pas denoncimeve të shumta të qytetarëve dhe organizatave për mbrojtjen e kafshëve.
Autoritetet arritën ta identifikojnë gruan dhe më pas e arrestuan. Sipas të dhënave të rastit, ajo pritet të paraqitet përpara prokurorit.
Rasti ka shkaktuar indinjatë të gjerë në Korfuz dhe për të është vënë në dijeni edhe Grupi Panhelenik kundër Keqtrajtimit të Kafshëve.
Ligjet në Greqi parashikojnë masa penale dhe administrative për vrasjen apo keqtrajtimin e kafshëve. Autoritetet vijojnë të verifikojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë e drejtueses së automjetit.
