Pas katër vitesh nga denoncimi për abuzim seksual ndaj një vajze të re në Halkidiki, autoritetet kanë arrestuar në Mal të Zi 52-vjeçarin shqiptar, i dyshuar si personi kryesor në këtë çështje.
Të lidhura
None found
Arrestimi u krye në zbatim të një urdhër-arresti evropian, ndërsa tashmë janë vënë në lëvizje procedurat për ekstradimin e tij drejt Greqisë.
Rasti u raportua më 30 maj 2022. Në atë kohë, gruaja ishte 22 vjeç, ndërsa sot është 26 vjeçe. Ajo kishte shkuar në një plazh të veçuar në Kassandra, para se të niste punën në një njësi hoteliere në këtë zonë.
Sipas deklarimit të saj, në plazh dyshohet se ishte sulmuar seksualisht nga 52-vjeçari shqiptar, i cili tashmë është nën hetim gjyqësor.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e çështjes ka pasur analiza gjenetike. Mostra e ADN-së e marrë nga shtrati në hambarin ku banonte 52-vjeçari u ekzaminua në laborator dhe, sipas të dhënave të hetimit, rezultoi e lidhur me materialin gjenetik të evidentuar gjatë hetimit të sulmit të dyshuar. Ky rezultat ndihmoi në përcaktimin e tij si i dyshuari kryesor.
Gjatë hetimeve fillestare ishte shqyrtuar edhe mundësia e përfshirjes së një personi tjetër, por nuk u gjetën prova që ta mbështesnin këtë dyshim.
Pas identifikimit të tij, autoritetet dyshojnë se 52-vjeçari ishte larguar nga Greqia dhe kishte shkuar jashtë vendit. Për këtë arsye, ndaj tij u nxor një urdhër-arrest evropian.
Ai u gjet dhe u arrestua në Mal të Zi. Procedurat ligjore për kthimin e tij në Greqi kanë nisur, ndërsa pritet që të dalë para autoriteteve gjyqësore për çështjen e denoncuar në vitin 2022.
