Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, për financimin e komunave.
Të lidhura
None found
Krasniqi i ka cilësuar pretendimet se Qeveria ua ka marrë komunave fondet si akuza të pambështetura, duke theksuar se pa fakte ato mbeten vetëm deklarime.
Sipas tij, vendimi për transferimin e 25 për qind të mjeteve të pashfrytëzuara drejt një programi tjetër investimesh është marrë në përputhje me legjislacionin për menaxhimin e financave publike.
“Këto mjete nuk janë zhdukur dhe as nuk janë marrë nga ministria. Ato u janë kthyer sërish komunave përmes projekteve investuese, të cilat synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kjo është në përputhje me ligjin dhe kështu ka ndodhur”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka deklaruar gjithashtu se Asociacioni i Komunave të Kosovës duhet të përfaqësojë dhe të jetë zë i të 38 komunave, e jo vetëm i një pjese të tyre.
