Julian Alvarez mbetet një prej emrave më të përfolur të merkatos së verës, ndërsa e ardhmja e sulmuesit argjentinas te Atletico Madrid vazhdon të jetë e pasigurt prej javësh.
Barcelona e sheh Alvarezin si një përforcim të rëndësishëm, por Atletico nuk dëshiron që lojtari të kalojë te rivalët spanjollë. Për këtë arsye, klubi madrilen kërkon një shumë shumë më të lartë nga Barcelona sesa nga klubet e tjera.
Të lidhura
None found
Në këtë situatë është përmendur edhe shifra prej 500 milionë eurosh, që përkon me klauzolën e lirimit të sulmuesit.
Alvarez e ka bërë të qartë dëshirën për t’u transferuar te Barcelona. Në fillim të përgatitjeve, ai madje nuk pranoi të stërvitej me skuadrën e Madridit, por më pas ndryshoi qëndrim dhe u paraqit në stërvitje.
Ndërkohë, ditët e fundit në internet është shpërndarë edhe një fotografi zyrtare e Alvarezit para nisjes së sezonit të ri. Imazhi është interpretuar si tregues i pakënaqësisë së tij me Atleticon, duke bërë që ai të humbiste mbështetjen e tifozëve të klubit.
Pakënaqësia e tyre u shfaq sot edhe në rrugët e Madridit. Tifozët vendosën mesazhe ku numri 19, që Alvarez mban në fanellë, paraqitej i kryqëzuar në një banderolë të ndërtuar si shenjë trafiku.
Në pankarta ishte shkruar edhe shprehja në spanjisht “Julian fuera”, e cila në shqip përkthehet “Julian jashtë”.
Atletico, nga ana tjetër, e ka pranuar në dy raste mundësinë e transferimit të Alvarezit te Arsenali, por sulmuesi argjentinas i ka refuzuar këto oferta.
Afati kalimtar do të qëndrojë i hapur deri në fund të muajit, ndaj ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe e ardhmja e Julian Alvarezit.
