Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit Special, ka shqiptuar dënim prej gjashtë muajsh burgim efektiv ndaj Kadri Xhemajlit, i cili kishte pranuar fajësinë për kanosjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Të lidhura
None found
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 22 tetor 2025 Xhemajli e kishte kërcënuar Kurtin me privim nga jeta përmes një komenti të publikuar në Facebook, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Para marrjes së vendimit, gjykata kishte miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur ndërmjet të akuzuarit dhe Prokurorisë Speciale.
Në këtë marrëveshje ishte propozuar që Xhemajli të dënohej me një vit burgim me kusht dhe një periudhë verifikuese prej tre vjetësh. Megjithatë, gjykata nuk e pranoi rekomandimin për masën e dënimit dhe vendosi t’i shqiptojë gjashtë muaj burgim efektiv.
Gjykata bëri të ditur se Xhemajli mund të paraqesë ankesë për lartësinë e dënimit.
Vepra për të cilën akuzohej ai është “Kanosja”, e paraparë në nenin 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
