Barcelona ka intensifikuar përpjekjet për të afruar Lautaro Martinezin nga Interi, pasi sulmuesi argjentinas është përzgjedhur si synimi kryesor për përforcimin e repartit ofensiv, raporton gazetari Gerard Romero.
Të lidhura
None found
Pas dështimit të përpjekjes për transferimin e Julian Alvarez, klubi katalanas e ka zhvendosur vëmendjen te kapiteni i Interit. Alvarez prej ditësh ishte pjesë e alternativave të Barcelonës, por qëndrimi i Atletico Madridit, që nuk dëshiron ta shesë, e ka bërë situatën më të ndërlikuar.
Trajneri Hansi Flick raportohet se e ka miratuar këtë operacion, ndërsa drejtuesit sportivë të Barcelonës po shqyrtojnë mënyrën dhe kushtet financiare për realizimin e një marrëveshjeje të mundshme.
Martinez thuhet se është i hapur ndaj mundësisë për t’u transferuar në Barcelonë, çka ka ndikuar që ai të ngjitet në krye të listës së dëshirave të klubit për sulmin.
Barcelona ka kontaktuar tashmë përfaqësuesit e futbollistit dhe po përgatit një ofertë të rëndësishme financiare, me synimin për të bindur Interin të pranojë largimin e kapitenit të tij përpara përfundimit të afatit kalimtar. Bisedimet për Lautaron ishin raportuar edhe më herët, si një alternativë në rast të dështimit të marrëveshjes për Alvarez.
Kërkesa e Barcelonës për një sulmues të ri është shtuar pas largimit të Ferran Torresit drejt Paris Saint-Germainit. Për këtë arsye, katalanasit po kërkojnë një golashënues të nivelit të lartë që mund të marrë përsipër drejtimin e repartit ofensiv.
Lautaro Martinez pritet të jetë një prej emrave kryesorë që Barcelona do të synojë gjatë ditëve të fundit të merkatos.
