Tërheqja e akullnajave në Alpet Zvicerane dhe Austriake ka nxjerrë në dritë eshtrat e tre alpinistëve, të cilët rezultonin të zhdukur që nga fillimi i viteve 1990. Zbulimet u kryen në dy zona të ndryshme, qindra kilometra larg njëra-tjetrës dhe brenda një periudhe të shkurtër.
Të lidhura
None found
Sipas Corriere della Sera, shkrirja e akullit po rikthen në sipërfaqe mbetje njerëzore që kishin qëndruar të ruajtura në akull për dekada.
Ngjarja e parë ndodhi në akullnajën Trift, në kantonin zviceran të Valais, ku eshtrat u zbuluan më 26 korrik. Më pas, ato u dërguan për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Sion.
Rezultatet e analizave konfirmuan se mbetjet i përkisnin dy alpinistëve belgë, të moshës 39 dhe 41 vjeç në kohën e zhdukjes së tyre në vitin 1992.
“Krahasimi i drejtpërdrejtë i profileve të ADN-së tregoi zyrtarisht se këta janë dy alpinistë që ishin zhdukur në zonën Weissmies”, deklaruan autoritetet kompetente.
Policia e Valais administron një dosje për personat e zhdukur që prej vitit 1925. Në të përfshihen kryesisht raste të humbjeve në territore malore me lartësi të mëdha dhe përgjatë lumenjve.
Ky nuk është rasti i vetëm i tillë në rajon. Vitin e kaluar, në akullnajën Ober Gabelhorn, po në kantonin e Valais, u gjetën eshtrat e një alpinisti zviceran që ishte zhdukur në vitin 1994.
Zbulimi i dytë u bë në pjesën austriake të Alpeve dhe lidhet me një alpinist italian, i shpallur i zhdukur në vitin 1991.
Mbetjet u gjetën më 21 qershor, në një terren me zhavorr dhe shkëmbinj në Vorderen Brandjochspitze, pjesë e vargmalit Nordkette. Ato u transportuan në një spital të Innsbruckut, ndërsa identifikimi kërkoi një periudhë të gjatë.
Testet e ADN-së përfundimisht vërtetuan se eshtrat i përkisnin një të riu nga Tiroli Jugor, i cili ishte 22 vjeç kur humbi gjurmët në vitin 1991. Në atë kohë, kërkimet ishin zhvilluar në zonën e Nordkette, por pa asnjë rezultat.
Gjatë viteve të fundit, tërheqja e akullnajave ka bërë që të zbulohen trupa njerëzish të mbetur të bllokuar në akull për shumë vite ose dekada.
Në krahasim me vitin 1850, akullnajat alpine kanë humbur rreth gjysmën e vëllimit të tyre. Procesi i tkurrjes së tyre është përshpejtuar ndjeshëm që nga fillimi i shekullit të 21-të.
