Universiteti i Harvardit ka rënë dakord të paguajë 53 milionë dollarë për të mbyllur një seri padish të ngritura nga familjarë, të cilët kishin dhuruar trupat e të afërmve të tyre për kërkime mjekësore dhe shkencore.
Të lidhura
None found
Çështja lidhet me një skandal në Shkollën Mjekësore të Harvardit, ku institucioni u akuzua nga familjet për neglizhencë të rëndë dhe trajtim abuziv të trupave të dhuruar.
Skandali doli në pah pas zbulimit të veprimtarisë së Cedric Lodge, ish-drejtorit të morgut të Harvardit dhe përgjegjës për Programin e Dhurimit Anatomik. Sipas autoriteteve, nga viti 2018 deri në vitin 2021, Lodge hiqte organe nga trupat e dhuruar për qëllime arsimore dhe kërkimore, më pas i nxirrte në shitje online në tregun e zi.
Në këtë rast u përfshinë Lodge dhe gjashtë persona të tjerë që nuk ishin pjesë e universitetit. Lodge u dënua me tetë vjet burg, ndërsa bashkëshortja e tij mori një dënim prej një viti e një dite burg. Personat e tjerë të përfshirë pranuan fajësinë në vitin 2025.
Paditë civile të familjarëve ndaj Harvardit ishin rrëzuar fillimisht, por Gjykata Supreme e Masaçusetsit vendosi t’i rikthejë ato. Sipas gjykatës, universiteti kishte dështuar të ndërhynte për një kohë të gjatë ndaj shkeljeve të kryera nga Lodge.
Marrëveshja, e depozituar në një gjykatë në Boston, parashikon ngritjen e fondeve të posaçme, me vlerë miliona dollarë, për kompensimin e familjeve të prekura.
Deanët e Shkollës Mjekësore të Harvardit dhe të arsimit mjekësor, George Daly dhe Bernard Chang, deklaruan në një letër të përbashkët se veprimet e Lodge ishin “moralisht të dënueshme dhe në kundërshtim me standardet e institucionit”.
Harvardi ka bërë të ditur gjithashtu se do të krijojë një bursë të përvitshme për studentët e mjekësisë. Programi do të nisë në vitin akademik 2027-2028 dhe do t’u kushtohet personave që dhuruan trupat e tyre në shërbim të arsimit dhe kërkimit shkencor.
Universiteti thekson se marrëveshja e mbyll procesin gjyqësor, por rikuperimi emocional i familjeve të prekura dhe i komunitetit akademik do të kërkojë kohë.
