Autoritetet kanë njoftuar se zjarri më i madh i regjistruar në Belgjikë gjatë 100 viteve të fundit është izoluar nga ekipet zjarrfikëse.
Të lidhura
None found
Rreziku i përhapjes së flakëve tashmë është neutralizuar, megjithatë shtresat e torfës që vazhdojnë të digjen nën sipërfaqe mund të mbajnë gjallë vatrat për javë apo edhe muaj. Qindra zjarrfikës punuan gjatë natës në terrenin moçalor të rezervatit natyror High Fens, pranë kufirit gjermano-belg, duke synuar mbylljen e pjesës së fundit aktive të zjarrit.
Zjarri nisi të premten, ndërsa shkaku mbetet ende i paqartë. Deri tani, flakët kanë përfshirë rreth 3 mijë hektarë me torfe, pisha dhe shtigje turistike, një sipërfaqe që përkon me gjysmën e Manhattanit. Edhe pse autoritetet e konsiderojnë situatën nën kontroll dhe përjashtojnë mundësinë e përhapjes së mëtejshme, në zonën e gjerë vijojnë të zbulohen vatra të reja. Ato po shuhet nga ekipet në terren dhe nga ajri, kur kushtet e motit e bëjnë të mundur.
Avionët e zjarrfikësve të ardhur nga Norvegjia, Gjermania, Suedia dhe Holanda nuk arritën të ngriheshin për shkak të reve të ulëta. Për shkak të zjarrit u evakuuan banorët e qytetit gjerman Monschau, si edhe të dy fshatrave belge. Ndërkohë, banorët e Sourbrodt kanë marrë leje për t’u rikthyer në banesat e tyre.
Vëmendja kryesore është përqendruar te të ashtuquajturat “zjarre zombie”. Shtresat e torfës mundësojnë që flakët të vazhdojnë të digjen në thellësi dhe të dalin papritur në një tjetër pikë të terrenit. Për lokalizimin e vatrave të padukshme po përdoren dronë të pajisur me kamera termike. Autoritetet bëjnë të ditur se ftohja e zonës dhe shuarja e plotë e zjarrit mund të kërkojnë disa muaj.
