Gjatë një konference për media, Aleanca ka shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si shkelje kushtetuese dhe dëmtim financiar të shtetit nga qeverisja Kurti.
Të lidhura
None found
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, deklaroi se partia do të vazhdojë të ngrejë çështje që i konsideron alarmante. Sipas tij, situata jokushtetuese në të cilën LVV e ka futur Kosovën shoqërohet me një varg shkeljesh ligjore dhe financiare. Ai tha se bëhet fjalë për zhvatje të buxhetit të Kosovës dhe për rreth gjysmë milioni euro në muaj, të cilat paguhen për militantë të Lëvizjes Vetëvendosje të punësuar në zyrat e qeverisë.
Ramadani theksoi se këta persona ishin emëruar para zgjedhjeve të qershorit. Ai shtoi se një person i certifikuar si deputet nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht detyrën e ministrit dhe, për pasojë, as të punësuarit nga këta ministra nuk kanë të drejtë të hyjnë në zyrat qeveritare. Sipas tij, vlera e përafërt e pagave të militantëve arrin në 486 mijë euro në muaj. Ai përmendi edhe raste kur shoferët janë emëruar këshilltarë me qëllim të rritjes së pagave, duke thënë se kostoja e kësaj bie mbi qytetarët.
Ai u ndal gjithashtu te moskonstituimi i institucioneve, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për ofertën gjashtëpikëshe të AAK-së.
Deputeti bëri të ditur se Aleanca ka paraqitur një ofertë për të kontribuar në formimin e institucioneve. Sipas tij, deri tani nuk është dëgjuar asgjë lidhur me gjashtë pikat strategjike të AAK-së, të cilat përfshijnë çështje me rëndësi për të ardhmen e vendit, si përfshirja e Kosovës në projektet e gazit dhe ndërtimi i kapaciteteve energjetike. Ramadani shtoi se AAK do të shqyrtojë çdo marrëveshje që mund të arrihet nga partitë e tjera.
